Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në bashkëpunim me forumZFD dhe Qendrën për Arsim të Kosovës – KEC, përmes projekteve EIDHR të financuara nga Bashkimi Europian dhe të menaxhuara nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, kanë mbajtur sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Hapja e ceremonisë u bë nga znj. Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF, e cila për fjalën e mirëseardhjes ftoi Z. Libor Chlad, Zëvendës Drejtor i Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së.

Më pas fjalën e mori znj. Eglantina Kraja Bardhi, Anëtare e Komisionit vlerësues, e cila bëri prezantimin e raportit të Komisionit për punimet e gazetarëve. Veç vlerësimit të punimeve, ajo falenderoi organizatorët dhe bëri thirrje që ky event të shërbejë edhe më tej si nxitje për gazetarët të cilët punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Vlerësimi i shkrimeve/punimeve të gazetarisë që kanë aplikuar në konkurs, edhe këtë vit është bërë nga paneli i përbërë nga Evliana Berani – Profesore e gazetarisë në kolegjin “Pjetër Budi”, Eglantina Kraja Bardhi – Profesore e psikologjisë në kolegjin “Fama” dhe Imer Mushkolaj – Profesor i gazetarisë në kolegjin “Pjetër Budi”.

Ҫmimet për punimet më të mira të vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së fëmijëve u ndanë si më poshtë:

Gazetarja Kaltrina Rexhepi nga RTK, me temën “Fëmija nënë”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Libor Chlad, Zëvendës Drejtor i Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së.

Gazetarja Edona Kutleshi nga Koha Ditore, me temën “Rrugës së rrezikshme malore për tu shkolluar” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Gazetari Festim Kabashi nga RTK, me temën “Ndëshkimi” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Znj. Vjollca Islami Hajrullahu, forumZFD.

Gazetarja Emirjeta Vllahiu nga Kallxo.com, me temën “Shtesa prej 10 euro nuk mbulon shpenzimet esenciale për rritjen e fëmijëve” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Znj. Ardita Kabashi, KEC.

Grupi i gazetarëve: Agnesa Çitaku, Ertan Galushi, Mërgim Rudari, Fatjona Mani dhe Valon Fana nga Kallxo.com, me temën “Mes dëshirës dhe pamundësisë për shkollim” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Burim Behluli, President i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

KOMF, Forum ZFD dhe KEC falenderojnë të gjithë përfaqësuesit e mediave, autorët dhe gazetarët, të cilët vazhdimisht kanë dëshmuar gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në emër të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.