KOMF ka mbajtur online takimin e rradhës së Grupit Tematik për Arsim, ku u diskutua kryesisht rreth situatës së krijuar si pasojë e COVID 19 dhe u planifikuan aktivitetet me qëllim të sigurimit së të drejtave të fëmijëve në arsim gjatë periudhës së pandemisë dhe kthimit në normalitet.

Gjithashtu gjatë këtij takimi, u diskutua rreth platformës online për zhvillimin në fëmijërinë e hershme e cila është në finalizim dhe pritet të lansohet së shpejti nga KOMF.

Grupi Tematik për Arsim mori vendimet si më poshtë:

  • Në kohën e rikthimit nga pandemia, KOMF të jetë koordinues për të lehtësuar koordinimin e aktiviteteve mes anëtarëve, e sidomos ato aktivitete që janë për fushat e njëjta.
  • KOMF të dërgojë një kërkesë drejt MAShTI për të ofruar bashkëpunim, qoftë në grupe punuese për krijimin e planeve operative lidhur me kthimin e fëmijëve në shkolla si dhe lidhur me çështjet tjera në lidhje me fushën e arsimit gjatë kësaj periudhe.
  • KOMF të hartojë një dokument lidhur me rikthimin në normalitet, ku varësisht prej situatës, të identifikohen çështjet prioritare të cilat do të adresohen drejt MASHTi bazuar në ekspertizën e organizatave anëtare.
  • Fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe në përgjithësi fëmijët e cenueshëm të jenë një ndër prioritetet e KOMF për të reaguar për përmirësimin e pozitës së tyre, sidomos në këtë periudhë që është rënduar edhe më shumë si pasojë e pandemisë.
  • Anëtarët e Grupit Tematik për Arsim morën vendim që Remzije Krasniqi nga SOS Fshatrat e Fëmijëve të përfaqësoj KOMF në Trupin Këshillues për Kujdesin, Zhvillimin dhe Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.
  • KOMF të dërgojë vlerësimin dhe rekomandimet sa i përket pakos së librave për grup moshën 5 – 6 vjeç, ashtu siç është paraqitur edhe në Politikën Rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.
  • Platforma online për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, do të lansohet përmes një konference për media dhe rrjeteve sociale. Anëtarët do të dërgojnë artikuj ose materiale për publikim në platformën për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Menjëherë pas takimit, KOMF në kuadër të Grupit Tematik për Arsim, ka dërguar vlerësimin dhe rekomandimet tek MASHTi, sa i përket pakos së librave për grup moshën 5 – 6 vjeç, ashtu siç është paraqitur edhe në Politikën Rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Pjesëmarrës në takim ishin:  Qendra për Arsim e Kosovës – KEC, SOS Kopshti,  Education Comes First, Balkan Sunflowers Kosova, Save the Children, SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosova, Ideas Partnership, Childproof CIPOF, Terre des hommes, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, HANDIKOS dhe sekretariati i KOMF.