Koalicioni i OJQ – ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF ka mbajtur sot një forum diskutimi virtual me temën “Hapat drejt rihapjes së sigurt të qendrave ditore për fëmijët e cenueshëm”.

Diskutimi evidentoi se pandemia Covid – 19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa shërbimet e nevojshme. Organizatat jo qeveritare që ofrojnë shërbime sociale direkte sidomos përmes qendrave ditore apo përmes ofrimit të shërbimeve në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, etj, kanë mbyllur shërbimet direkte në muajin Mars duke zbatuar rekomandimet e IKSHPK. Organziatat njoftuan që shumë prej tyre po ofrojnë shërbime përmes platformave online përgjatë kësaj kohe.

Përfaqësuesit nga OJQ-të ofruese të shërbimeve direkte theksuan që kanë mbetur në pritje të udhëzimeve nga MSH dhe MPMS, për rihapje të sigurtë të qendrave ditore. Ata po ashtu bën njoftuan që thirrjet vjetore për mbështetjen finaniciare të OJQ-ve nuk janë hapur dhe pa një mbështetje financiare shërbimet vështirëse mund të funksionalizohen.

Pas diskutimit, pjesëmarrësit konkluduan se para hapjes së qendrave ditore, institucionet përgjegjëse duhet të ndërmarrin masat dhe veprimet për rihapje të sigurt:

  • Krijimi i një udhëzuesi për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm për të gjithë ofruesit e shërbimeve dhe rihapjen e sigurt të qendrave ditore dhe shërbimeve në komunitet;
  • Shpallja urgjente e thirrjeve të rregullat vjetore nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë dhe komunat, për financimin e organizatave jo qeveritare për ofrimin e shërbimeve direkte.

Ky forum u mbajt me përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë, Kuvendi i Kosovës, organizata joqeveritare ofruese të shërbimeve direkte, institucione parashkollore, etj. Pjesëmarrësit u dakorduan që pas këtij takimi, nevojat dhe rekomandimet e dala nga ky diskutim, KOMF do t’i adresojë tek institucionet përgjegjëse.

Ky aktivitet u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.