Përmbledhje

Fëmijët në Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme. Në mënyrë kolektive të gjithë kemi përgjegjësi në ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. KOMF në partneritet me UNICEF synon të zgjerojë konceptin e mbrojtjes së fëmijëve, duke përçuar mesazhin se “’Përgjegjësia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve”.

Fatmirësisht, Kosova gëzon mbështetje në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nga komuniteti i donatorëve, shoqëria civile, sektori i bizneseve, individët, mediat etj. Kjo mbështetje konsiston në mbështetje financiare, punë vullnetare, ofrim të shërbimeve, avancim të politikave dhe legjislacionit, vetëdijësim, edukim të publikut, etj.

Për të rritur më tej mbështetjen për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, për të inkurajuar dhe fuqizuar përgjegjësinë sociale të sektorit të bizneseve, sektorit jo qeveritar, si dhe përgjegjësinë individuale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, KOMF në partneritet me UNICEF, ndan Çmimet “Miku i Fëmijëve”, për kontribuesit më të mëdhenj gjatë vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Ndarja e Çmimeve “Miku i Fëmijëve” ofron një mundësi për të njohur publikisht përpjekjet, angazhimin dhe energjinë e shumë korporatave, bizneseve, personaliteteve, individëve, që japin një kontribut të rëndësishëm në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në të njëjtën kohë kjo pritet të ndikojë në edukimin e shoqërisë për mbështetjen e kauzës për mbrojtjen e fëmijëve.

 Çmimet do të ndahen në Dhjetor 2018. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të organizohet me mbulesë mediatike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga trupat diplomatik në Kosovë, shoqërinë civile, agjencitë ndërkombëtare, sektorin publik, sektorin e biznesit, pjesëmarrës nga komuniteti etj.

Lloji i Çmimeve

Çmimet do të ndahen në formë të mirënjohjeve për kontribuesit më të mëdhenj përgjatë vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Çmimet nuk do të jenë në vlerë monetare.

Legjitimiteti

Për t’u kualifikuar për të fituar çmimin, kandidati duhet të jetë banor apo subjekt juridik i regjistruar në Kosovë dhe në kohën e nominimit nuk mund të jetë organizatë, një zyrtar apo drejtor i organizatave anëtare të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Kandidatët duhet të kenë kontribuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në fushën e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë etj.

Kandidatët mund të jenë subjekte juridike sikurse korporata, biznese, trupa diplomatik, mediume, apo personalitete dhe individë nga komuniteti.

Kriteret e përzgjedhjes

Kriteret e përzgjedhjes do të përfshijnë:

  • Shtrirja, fushëveprimi i shërbimit/veprimit/iniciativës/ndikimit/përpjekjes/ këmbënguljes;
  • Cilësia dhe/ose sasia e ndryshimit / ndikimit në shoqëri;
  • Shtrirja e inovacionit si pjesë e ndikimit / ndryshimit;
  • Pasioni i demonstruar;
  • Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria në ofrimin e mbështetjes.

Marrësi i çmimit duhet të pajtohet të marrë pjesë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Procedura e përzgjedhjes

  • Nominimet janë të hapura për këdo. KOMF do publikojë shpalljen për nominime në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale me afatin e përcaktuar për dërgimin e nominimeve. Kandidatët mund të vetënominohen apo të nominohen nga të tjerët.
  • Nominimet duhet të përmbajnë emrin e personit/subjektit/biznesit që ka ofruar ndihmë ndaj kategorive të cënueshme të fëmijëve gjatë 2018, si dhe arsyetimin respektiv të nominimit.
  • Nominimet duhet të dërgohen në info@komfkosova.org deri me datë 30 Nëntor 2018, ora: 16:00.

KOMF do të ndajë gjithsej 6 mirënjohje “Mik i fëmijëve për vitin 2018”.  Paneli vlerësues për përzgjedhjen e çmimeve  Çmimet do të vlerësohen dhe përzgjidhen nga “Paneli Vlerësues”. Anëtarët e panelit vlerësues do të përzgjidhen për pasionin dhe/ose përkushtimin e tyre për të bërë ndryshime në jetën e fëmijëve. Anëtarët e panelit vlerësues mund te jenë pjesë nga sektori i të drejtave të fëmijëve, shoqëria civile, sektori i biznesit, universiteti, komuniteti, mediat etj. Pas vendimit të panelit, KOMF merr vendimin final për fituesit.

  • Paneli do të përbëhet nga tre profesionistë, jashtë përbërjes së KOMF, për të ruajtur transparencën dhe shmangur konfliktin e interesit;
  • KOMF do të dërgojë tre ftesa zyrtare për pjesëmarrje vullnetare për profesionistët në Panelin që do të vlerësojë nominimet;
  • Paneli mblidhet paraprakisht dhe bën vlerësimin e nominimeve dhe relevancës së arsyetimeve të ofruara. Në përfundim paneli merr vendim me shkrim, për fituesit e mirënjohjeve dhe jep arsyetimin e vendimit për secilin fitues.
  • KOMF merr vendimin final rreth aprovimit të fituesve të shpallur nga paneli.

Procesi i ndarjes së çmimeve – Data tentative

Fazat Data
Shpallja e Thirrjes për Nominime Prej 15 Nëntor 2018
Mbyllja e nominimeve 30 Nëntor 2018
Vlerësimi dhe shpallja e vendimit nga paneli Deri më 12 Dhjetor 2018
Shpallja e fituesve nga KOMF Deri më 14 Dhjetor 2018
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Në mes të muajit Dhjetor 2018