Përmbledhje

Fëmijët në Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme. Në mënyrë kolektive të gjithë kemi përgjegjësi në ndërgjegjësimin e shoqërisë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. KOMF në partneritet me UNICEF synon të zgjerojë konceptin e mbrojtjes së fëmijëve, duke përçuar mesazhin se “’Përgjegjësia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve”.

Fatmirësisht, Kosova gëzon mbështetje në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nga komuniteti i donatorëve, shoqëria civile, sektori i bizneseve, individët, mediat etj. Kjo mbështetje konsiston në mbështetje financiare, punë vullnetare, ofrim të shërbimeve, avancim të politikave dhe legjislacionit, vetëdijësim, edukim të publikut, etj.

Për të rritur më tej mbështetjen për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, për të inkurajuar dhe fuqizuar përgjegjësinë sociale të sektorit të bizneseve, sektorit jo qeveritar, si dhe përgjegjësinë individuale për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, KOMF në partneritet me UNICEF, ndan Çmimet “Miku i Fëmijëve”, për kontribuesit më të mëdhenj të vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Ndarja e Çmimeve“Miku i Fëmijëve”ofron një mundësi për të njohur publikisht përpjekjet, angazhimin dhe energjinë e shumë korporatave, bizneseve, personaliteteve, individëve, që japin një kontribut të rëndësishëm në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në të njëjtën kohë kjo pritet të ndikojë në edukimin e shoqërisë për mbështetjen e kauzës për mbrojtjen e fëmijëve.

Çmimet do të ndahen në Shkurt 2019. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të organizohet me mbulesë mediatike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga trupat diplomatik në Kosovë, shoqëria civile, agjencitë ndërkombëtare, sektori publik, sektori i biznesit, pjesëmarrës nga komuniteti etj.

Lloji i Çmimeve

Çmimet do të ndahen në formë të mirënjohjeve për kontribuesit më të mëdhenj përgjatë vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Çmimet nuk do të jenë në vlerë monetare por në formë të mirënjohjes dhe falënderimit për kontributin e dhënë.

Legjitimiteti

Kandidatët duhet të kenë kontribuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë gjatë vitit 2018, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në fushën e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë etj.

Kandidatët mund të jenë subjekte juridike sikurse korporata, biznese, banka, trupa diplomatik, mediume, apo personalitete dhe individë nga komuniteti.

Prioritet do ti jepet kandidatëve të cilët kanë dhënë kontribut vullnetar për fëmijët e që nuk është pjesë e angazhimit të tyre të përditshëm profesional. 

Kriteret e përzgjedhjes

Kriteret e përzgjedhjes do të përfshijnë:

  • Shtrirja, fushëveprimi i shërbimit/veprimit/iniciativës/ndikimit/përpjekjes/ këmbënguljes;
  • Cilësia dhe/ose sasia e ndryshimit / ndikimit në shoqëri;
  • Shtrirja e inovacionit si pjesë e ndikimit / ndryshimit;
  • Pasioni i demonstruar;
  • Vazhdimësia dhe qëndrueshmëria në ofrimin e mbështetjes.

Procedura e përzgjedhjes

Procedura për përzgjedhjen e kontribuesve të vitit 2018 në fushën e mbrojtjes dhe të drejtave të fëmijëve, do të jetë transparente duke kërkuar përmbushjen rigoroze të kritereve:

  • Nominimet janë të hapura për këdo. KOMF do publikojë shpalljen për nominime në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale me afatin e përcaktuar për dërgimin e nominimeve. Kandidatët mund të vetënominohen apo të nominohen nga të tjerët. Ju mund të nominoni një apo edhe më shumë kandidatë për këto çmime.
  • Në mënyrë që nominimi të jetë i vlefshëm dhe legjitim, duhet plotësuar formulari i cili gjendet i bashkangjitur si aneks në fund të Termave të Referencës. Nominimet duhet të përmbajnë emrin e personit/subjektit/biznesit që ka ofruar ndihmë ndaj kategorive të cënueshme të fëmijëve gjatë 2018, si dhe arsyetimin respektiv të nominimit. Arsyetimi duhet të jetë i saktë dhe i detajuar, duke përmbajtur informacionin e nevojshëm rreth kontributit të dhënë dhe arsyeve pse kandidati është dominuar për këtë çmim.
  • Nominimi/ formulari i plotësuar, duhet të dërgohet në info@komfkosova.org deri me datë 18 Janar 2019, ora: 16:00.

KOMF do të ndajë gjithsej 6 mirënjohje “Mik i fëmijëve” për vitin 2018.  Paneli vlerësues për përzgjedhjen e çmimeve Çmimet do të vlerësohen dhe përzgjidhen nga “Paneli Vlerësues”. Anëtarët e panelit vlerësues do të përzgjidhen për pasionin dhe/ose përkushtimin e tyre për të bërë ndryshime në jetën e fëmijëve. Anëtarët e panelit vlerësues mund te jenë pjesë nga sektori i të drejtave të fëmijëve, shoqëria civile, sektori i biznesit, universiteti, komuniteti, mediat etj.  Pas vendimit të panelit, KOMF merr vendimin final për fituesit.

  • Paneli do të përbëhet nga pesë profesionistë, jashtë përbërjes së KOMF, për të ruajtur transparencën dhe shmangur konfliktin e interesit;
  • KOMF do të dërgojë ftesa zyrtare për pjesëmarrje vullnetare për profesionistët në Panelin që do të vlerësojë nominimet;
  • Paneli mblidhet paraprakisht dhe bën vlerësimin e nominimeve dhe relevancës së arsyetimeve të ofruara. Në përfundim paneli merr vendim me shkrim, për fituesit e mirënjohjeve dhe jep arsyetimin e vendimit për secilin fitues.
  • KOMF merr vendimin final rreth aprovimit të fituesve të shpallur nga paneli.

Procesi i ndarjes së çmimeve – Tabela tentative

Fazat Data
Shpallja e Thirrjes për Nominime Nga 10 Janar 2019
Mbyllja e nominimeve 18 Janar 2019
Vlerësimi dhe shpallja e vendimit nga paneli Deri më 01 Shkurt 2019
Shpallja e fituesve nga KOMF Deri më 08 Shkurt 2019
Ceremonia e ndarjes së çmimeve Gjatë muajit Shkurt 2019

 

Klikoni këtu për të shkarkuar Termat dhe Formularin: