Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, prezantoi “Raportin e monitorimit gjashtë mujor mbi ekzekutimin e masave dhe dënimeve për të miturit në Qendrën Korrektuese në Lipjan”.

KOMF ka monitoruar zbatimin e masave edukative / institucionale; dërgimin në institucionin edukativo – korrektues dhe burgimin për të mitur.

Raporti vë në pah sfidat në ekzekutimin e masave dhe dënimeve në qendrën korrektuese për te mitur në Lipjan.

Të gjeturat kryesore të raportit të cilat cënojnë në masë të madhe të drejtat, rehabilitimin, edukimin dhe re integrimin e të miturve janë:

-Stërzgjatja e paraburgimit si praktikë e dëmshme për të miturit dhe në kundërshtim me Kodin e Drejtësisë për të Mitur;
-Praktika e shqiptimit të masave mbi masë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi ;
-Përdorimi i dhunës si mjet disiplinimi nga stafi korrektues në QKL, e cila është shkelje flagrante e të drejtave të miturve dhe e sanksionuar me legjislacionin penal në fuqi;
-Mbajtja e të miturve me masë edukative në institucion të tipit të mbyllur gjë që përbën shkelje të të drejtave themelore të të miturve dhe në kundërshtim me Kodin për Drejtësi për të Mitur;
-Mungesa e programeve individuale gjë që cenon rehabilitimin dhe re integrimin e të miturve;
-Vështirësi të shumta në mbarëvajtjen e sistemit arsimor;
-Mungesë totale e edukatorëve dhe e programeve edukative;
-Qëndrimi i të miturave femra në të njëjtin pavion me femrat e rritura, i cili jo vetëm që rrezikon rehabilitimin e të miturave por mund të çoj edhe në regres e përkeqësim të gjendjes së tyre, pasi qëndrimi në një pavion me femrat e rritura është tërësisht jashtë kontekstit të zhvillimit fizik, konjitiv dhe psikologjik të të miturave;
-Mosbesimi i të miturve në sistemin e ankesave;
-Mungesa e stafit profesional të mjaftueshëm për të punuar me të miturit.

Duke konsideruar rrethanat në të cilat ekzekutohen masat edukative në QKL, ky institucion nuk i përmbush parakushtet për arritjen e qëllimit për të cilin është krijuar, përkatësisht rehabilitimin dhe re integrimin e të miturve me masa dhe dënime, për më tepër shkel të drejtat themelore të të miturve. Duke qenë se qendra e re korrektuese është në prag të funksionalizimit, një varg defektesh të sistemit aktual mund të eliminohen. Problematikat e identifikuara nga monitorimi, janë analizuar nga grupi punues dhe janë shoqëruar me rekomandime konkrete në përputhshmëri me interesin më të mirë të të miturve, standartet ndërkombëtare dhe kontekstin e Kosovës, të cilat synojnë përmirësimin e ekzekutimit të masave edukative dhe dënimeve për të mitur për të përmbushur qëllimin e dhënies së tyre.