Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, znj. Natalyia Apostolova i bashkohet platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve”.

Në 22 Nëntor 2016, znj. Apostolova nënshkroi “Deklaratën e Angazhimit” e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për të qënë në ndihmë dhe mbështetje të fëmijëve si dhe për tu angazhuar në vazhdimësi në çështje që prekin apo cënojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat e tyre.

Znj. Apostolova i bashkohet kësaj nisme vetëm pak kohë pas ardhjes së saj në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë.

Platforma avokuese “Miqtë e Fëmijëve” është themeluar nga KOMF në Maj të këtij viti. Ajo përbëhet nga personalitete të larta në vend nga fusha të ndryshme si diplomacia, arti, kultura, sporti, biznesi, etj. të cilët përmes imazhit, integritetit dhe profilit të tyre në publik ndikojnë në rritjen e impaktit për çështje të lidhura me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.