Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në kuadër të misionit për të drejtat e fëmijëve në Kosovë, nga viti 2015 ka dërguar rekomandimin drejt Qeverisë së Kosovës dhe drejt partive politike për planifikimin dhe realizimin e shtesave për fëmijë. Këtë rekomandim në vitin 2015 KOMF e ka ofruar si rekomandim afatmesëm, duke patur parasysh hapësirën fiskale në Kosovë.

KOMF mbështet plotësisht shtesat për fëmijë dhe deklaron që ofrimi i shtesave për fëmijë, është dokumentuar në shumë vende të botës si instrumenti më efektiv në zbutjen e varfërisë dhe i cili zbatohet në pothuajse të gjitha vendet e Europës Jug-lindore, për të mos folur për ato të BE-së.

Argumentet në favor të shtesave për fëmijë janë të dyfishta. Zhvendosja e disa prej kostove nga familjet me fëmijë tek shoqëria e gjerë ndikojnë në rritjen e mirëqenies sociale të përgjithshme (duke kontribuar në barazinë horizontale). Nga ana tjetër, për shkak se shtesat për fëmijë shmangin boshllëqet në mbulimin e të gjitha familjeve në nevojë, ato përmirësojnë pozitën e familjeve më të varfëra të cilat shpesh dështojnë të marrin ose nuk përmbushin kriteret për asistencë sociale në bazë të politikave me kritere shumë të ashpra (duke kontribuar në barazinë vertikale).

KOMF ofron tri argumente shtesë pse duhet të investohet në fëmijë:
Argumenti ekonomik: Përmes investimit në fëmijë do të krijohet fuqi punëtore më e shëndoshë dhe më e kualifikuar, që mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik, duke përvetësuar teknologjitë dhe shkathtësitë e reja konform nevojave të tregut;
Argumenti etik : Investimet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë të domosdoshme për secilin vend që mbështet të drejtat e njeriut;
Argumenti politik: Investimet e pamjaftueshme sociale, pabarazia e theksuar dhe varfëria e lartë, pengojnë zhvillimin e një vendi dhe dëmtojnë kohezionin social të tij.

Rezoluta e Parlamentit Europian B7-0004/2014 për procesin e integrimit të Kosovës në BE (2013/2881(RSP), me theks të veçantë në paragrafin 38 ku flitet për të drejtat e fëmijëve dhe varfërinë e fëmijëve, u bën thirrje autoriteteve kosovare për të zbatuar plotësisht Konventën mbi të Drejtat e Fëmijës dhe rekomandon që politikat për varfërinë e fëmijëve të rishikohen, duke përfshirë modifikimin e skemës së asistencës sociale dhe krijimin e një benefiti universal për fëmijët.

Praktikat dhe modelet nga shtetet e tjera të rajonit dhe Europës janë të ndryshme lidhur me shtesat për fëmijë, kjo sa i përket moshës së fëmijëve, numrit të fëmijëve në familje si dhe shumës së shtesave për fëmijë. Sa i përket moshës, shtetet kryesisht kanë vendosur si kufi moshën 18 vjeçare. Sa i përket modeleve, disa shtete praktikojnë modelin e shtesave universale për fëmijë që nënkupton transfere të pakushtëzuara për të gjitha familjet me fëmijë pa marrë parasysh nivelin e të ardhurave të tyre apo statusin e punësimit. Modelet poashtu mund të përfshinë përcaktimin apo përshkallëzimin e pagesave bazuar në të ardhurat vjetore të familjes, numrit të fëmijëve në familje apo përshkallëzimin e shtesave sipas moshës së fëmijëve.

Republika e Kosovës paraprakisht duhet të analizojë me kujdes dhe të vendos modelin më të përshtatshëm për kontekstin e Kosovës, gjithmonë duke pas për bazë si kriter kryesor mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijës.