Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka përmbyllur me sukses projektin dy vjeçar “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë”, të mbështetur nga BE dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë. Ky projekt ka filluar në Janar 2017 dhe ka përfunduar në Dhjetor 2018.

Ndër të arriturat kryesore të projektit janë: Implementimi i Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0. Indeksi është një mekanizëm i pavarur për matjen e reformave të vendit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në përputhje me Konventën për të Drejtat e Fëmijës – KDF. Indeksi solli evidenca mbi zhvillimin e politikave, zbatimin e politikave, kapaciteteve në ofrim të shërbimeve, llogaridhënien në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe nivelin e bashkëpunimit në mes të aktorëve që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë. KOMF ka adresuar të gjeturat dhe rekomandimet e Indeksit drejt Kuvendit, Qeverisë, Ministrive, Komunave, Avokatit të Popullit dhe Medias. KOMF ka organizuar dhe tre konferenca nacionale ku ka adresuar tre kategoritë të evidentuara si më kritike nga Indeksi: Fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët që punojnë në rrugë dhe fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë.

Në kuadër të këtij projekti, KOMF ka ofruar nën financime për OJQ-të në shtatë komuna, dhe ka mbështetur procesin e hartimit te Rregulloreve dhe Strategjisë e Planit të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve, në komunat: Prishtinë, Drenas, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Pejë. Këto dokumente kanë për qëllim që çështjet të cilat kanë të bëjnë me fëmijë, të vihen në qendër dhe të kthehen në prioritet të axhendës së qeverisjes komunale. Këto dokumente ofrojnë mundësinë për secilën komunë, që të përfshihet të trajtojë çështjet që kanë të bëjnë me fëmijët, duke synuar kështu realizimin e të gjitha të drejtave të tyre. KOMF ka ndarë këto modele me gjithë komunat e Kosovës, duke u ofruar atyre një mundësi të replikimit të procesit dhe hartimit të Rregullores Komunale dhe Strategjisë e Planit të Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve, brenda komunave të tyre.

Po ashtu, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka prodhuar një spot vetëdijësues mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, në Kosovë. Ky spot ka pasur për qëllim të ndikojë në vetëdijësimin e publikut të gjerë dhe institucioneve publike për obligimin tonë për mbrojtje të fëmijëve. Në këtë spot kanë marr pjesë 6 personalitete të shquara nga platforma avokuese e KOMF “Miqtë e Fëmijëve” të cilët i janë bashkuar qëllimit të përbashkët për vetëdijesimin në mbrojtjen e fëmijëve.

Si përfundim, KOMF përmes këtij projekti, për dy vite rresht ka ndarë nga 5 çmime vjetore për gazetari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Veç vlerësimit të punimeve të gazetarëve, qëllimi i kësaj ngjarje ishte nxitja edhe më tej e gazetarëve për të punuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.