Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë” financuar nga BE dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, ka ofruar nën financime për shtatë organizata lokale me qëllim të fuqizimit të tyre dhe mbështetjes së shtatë komunave në hartimin e rregulloreve dhe planeve të veprimit për të drejtat e fëmijëve.

Rregulloret për të drejtat e fëmijëve janë aprovuar në gjashtë komuna të Kosovës. Kuvendet komunale kanë aprovuar rregulloret në komunën e Lipjanit, Pejës, Fushë Kosovës, Drenasit, Gjilanit dhe Ferizajit. Procesi i hartimit të rregulloreve është mbështetur nga organizatat lokale.

Pas aprovimit të Rregulloreve për të Drejtat e Fëmijëve, komunat kanë nisur edhe miratimet e Strategjive dhe Planeve të Veprimit.

Kuvendi Komunal i Gjilanit, me datë 26.07.2018 ka miratuar Strategjinë për të Drejtat e Fëmijëve (2018-2021). Ky proces është mbështetur nga organizata NOPM.

Me datë 31.07.2018, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit komunal të komunës së Pejës, është miratuar Strategjia për të Drejtat e Fëmijëve. Procesi i hartimit të Strategjisë për të drejtat e Fëmijëve është mbështetur nga organizata GWYA.

Po në këtë datë, Kuvendi i Komunës së Ferizajit ka miratuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit (2019-2021) për të Drejtat e Fëmijëve. Procesi i hartimit të strategjisë është mbështetur nga Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP Kosova.

Planet e Veprimit për të Drejtat e Fëmijëve në komunën e Drenasit, Fushë Kosovës, dhe Lipjanit tashmë janë finalizuar nga grupet punuese dhe pritet që të futen në axhendat e radhës të takimeve të Kuvendeve të komunave përkatëse.

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, falenderon dhe përgëzon grupet punuese dhe organizatat lokale në të gjitha komunat, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në hartimin e rregulloreve dhe planeve te veprimit për të drejtat e fëmijëve.

KOMF falenderon poashtu zyrën e UNICEF në Kosovë për mbështetjen e ofruar gjatë procesit.