Ndahen çmimet vjetore për gazetari në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në Kosovë

Ndahen çmimet vjetore për gazetari në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, në Kosovë

20 Dhjetor 2018

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në bashkëpunim me forumZFD dhe Qendrën për Arsim të Kosovës – KEC, përmes projekteve EIDHR të financuara nga Bashkimi Europian dhe të menaxhuara nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, kanë mbajtur sot ceremoninë e ndarjes së çmimeve vjetore për gazetari në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Hapja e ceremonisë u bë nga znj. Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive në KOMF, e cila për fjalën e mirëseardhjes ftoi Z. Libor Chlad, Zëvendës Drejtor i Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së. Znj. Eglantina Kraja Bardhi, Anëtare e Komisionit vlerësues, e cila bëri prezantimin e raportit të Komisionit për punimet e gazetarëve. Veç vlerësimit të punimeve, ajo falenderoi organizatorët dhe bëri thirrje që ky event të shërbejë edhe më tej si nxitje për gazetarët të cilët punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

Vlerësimi i shkrimeve/punimeve të gazetarisë që kanë aplikuar në konkurs, edhe këtë vit është bërë nga paneli i përbërë nga Evliana Berani – Profesore e gazetarisë në kolegjin “Pjetër Budi”, Eglantina Kraja Bardhi – Profesore e psikologjisë në kolegjin “Fama” dhe Imer Mushkolaj – Profesor i gazetarisë në kolegjin “Pjetër Budi”.

Ҫmimet për punimet më të mira të vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së fëmijëve u ndanë si më poshtë:

Gazetarja Kaltrina Rexhepi nga RTK, me temën “Fëmija nënë”, fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Libor Chlad, Zëvendës Drejtor i Sektorit të Bashkëpunimit të Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë / Përfaqësues i Posaçëm i BE-së.

Gazetarja Edona Kutleshi nga Koha Ditore, me temën “Rrugës së rrezikshme malore për tu shkolluar” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Hilmi Jashari, Avokat i Popullit.

Gazetari Festim Kabashi nga RTK, me temën “Ndëshkimi” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Znj. Vjollca Islami Hajrullahu, forumZFD.

Gazetarja Emirjeta Vllahiu nga Kallxo.com, me temën “Shtesa prej 10 euro nuk mbulon shpenzimet esenciale për rritjen e fëmijëve” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Znj. Ardita Kabashi, KEC.

Grupi i gazetarëve: Agnesa Çitaku, Ertan Galushi, Mërgim Rudari, Fatjona Mani dhe Valon Fana nga Kallxo.com, me temën “Me dëshirë dhe pamundësi për shkollim” fitoi Ҫmimin Vjetor 2018, çmim të cilin e ndau Z. Burim Behluli, President i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

KOMF, Forum ZFD dhe KEC falenderojnë të gjithë përfaqësuesit e mediave, autorët dhe gazetarët, të cilët vazhdimisht kanë dëshmuar gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në emër të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve në Kosovë.

No Comments

Leave a Reply