Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në partneritet me Organizatën për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndan mirënjohjet vjetore “Mik i fëmijëve” për partnerët më të afërt të projektit, kontribues në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2019.

Dy mirënjohje vjetore “Mik i Fëmijëve”, do të ndahen për partnerët e afërt të projektit, individë apo subjekte të cilët kanë dhënë kontribut drejt mbrojtjes sociale, mbrojtjes së fëmijëve dhe familjeve duke qenë pjesë e përmbushjes së suksesshme të procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, gjatë vitit 2019.

Mirënjohjet për kontribuesit më të mëdhenj në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, gjatë vitit 2019, nuk do të jenë në vlerë monetare por në formë të mirënjohjes dhe falënderimit për kontributin e dhënë.

Legjitimiteti

Kandidatët duhet të kenë kontribuar në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë gjatë vitit 2019, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në fushën e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë etj.

Kandidatët mund të jenë subjekte juridike sikurse korporata, biznese, banka, trupa diplomatik, mediume, apo personalitete dhe individë nga komuniteti.

Kriteret e përzgjedhjes

Kriteret e përzgjedhjes do të përfshijnë:

  • Shtrirjen, fushëveprimin e shërbimit/veprimit/iniciativës/ndikimit/përpjekjes/ këmbënguljes;
  • Cilësinë dhe/ose sasinë e ndryshimit / ndikimit në shoqëri;
  • Shtrirjen e inovacionit si pjesë e ndikimit / ndryshimit;
  • Pasionin e demonstruar;
  • Vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë në ofrimin e mbështetjes.

 Vlerësimi   

Vlerësimi i nominimeve do të bëhet nga një panel vlerësues i jashtëm, i përbërë nga personalitete prej fushave si shoqëria civile, universiteti, komuniteti, etj.  Pas vendimit të panelit, KOMF merr vendimin final për fituesit.

  • Paneli do të përbëhet nga tre personalitete, jashtë përbërjes së KOMF, për të ruajtur transparencën dhe shmangur konfliktin e interesit;
  • KOMF do të dërgojë ftesa zyrtare për pjesëmarrje vullnetare për anëtarët e panelit vlerësues;
  • Paneli bën vlerësimin e nominimeve dhe në bazë të vlerësimit, merr vendim me shkrim për fituesit e mirënjohjeve dhe jep arsyetimin e vendimit për secilin fitues.
  • KOMF merr vendimin final rreth aprovimit të fituesve të shpallur nga paneli.

Aplikantët që konkurojnë duhet t’i përmbahen këtyre kritereve:

  1. Të kenë dhënë kontribut në fushën decentralizimit të shërbimeve sociale me fokus mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë gjatë vitit 2019, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në fushën e mbrojtjes dhe mirëqenies sociale, shëndetësisë, arsimit, drejtësisë etj;
  1. Kandidatët mund të jenë subjekte juridike sikurse korporata, biznese, banka, trupa diplomatik, mediume, apo personalitete dhe individë nga komuniteti;
  1. Të plotësojnë dhe dorëzojnë formularin i cili gjendet i bashkangjitur si aneks në fund të kësaj thirrjeje. Formulari duhet të përmbajnë emrin e personit/subjektit/biznesit dhe arsyetimin përkatës të kandidaturës. Arsyetimi duhet të jetë i saktë dhe i detajuar, duke përmbajtur informacionin e nevojshëm rreth kontributit të dhënë dhe arsyeve pse kandidati është nominuar për këtë mirënjohje.
  1. Kandidatët mund të nominohen nga të tjerë, apo të vetënominohen. Ju mund të dorëzoni një, apo më shumë nominime.

Afatet për aplikim:

  • Shpallja do të qëndrojë e hapur që nga data e shpalljes së tij në www.portalpune.com dhe faqet zyrtare të KOMF, SOS dhe OFAP, nga data 11 Nëntor 2019 deri më 24 Nëntor 2019.
  • Nominimi / formulari i plotësuar, duhet të dërgohet në info@komfkosova.org deri me datë 27 Nëntor 2019.
  • Mirënjohjet për fituesit do të ndahen gjatë një ceremonie solemne e cila do të organizohet gjatë muajit Dhjetor 2019.

KOMF, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP inkurajojnë të gjithë partnerët dhe mbështetësit e projektit, individë apo subjekte të cilët përmes ndihmës ndaj fëmijëve kanë dhënë kontribut në përmirësimin e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, të aplikojnë për dy mirënjohjet “Mik i Fëmijëve”, që do të ndahen këtë vit.

Klikoni këtu për të shkarkuar formularin për nominim.