Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për Financat e Pushtetit Lokal, i cili i hap rrugë krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka dërguar rekomandimet në kuadër të konsultimeve publike për koncept dokumentin për Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal. KOMF ka propozuar krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale me qëllim të sigurimit të financimit të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale. Për të siguruar një financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale në Kosovë, KOMF ka rekomanduar që Granti specifik për shërbimet sociale të jetë i llojit të mbyllur, e cila është alternativë më adekuate për arsye që siguron një minimum të sigurt të ofrimit të shërbimeve sociale. Megjithatë, sipas koncept dokumentit të aprovuar, Granti Specifik për Shërbime Sociale – parashihet të jetë grant me sistem të hapur dhe do të përfshijë financimin e shërbimeve sociale, rezidenciale dhe ditore, duke u bazuar në standardet minimale për shërbime sociale të përcaktuara nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Miratimi i koncept dokumentit për Financat e Pushtetit Lokal përbën një hap shumë të rëndesishëm drejt zgjidhjes së problemit për sigurimin e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.

KOMF në vazhdimësi gjatë katër viteve të fundit ka avokuar fuqishëm drejt vendimarrësve për krijimin e Grantit Specifik për Shërbime Sociale, si zgjidhje e problemit të financimit të shërbimeve sociale. Konkrektisht, KOMF gjatë katër viteve te fundit ka adresuar rekomandimet për zgjidhjen e problemit të financimit të shërbimeve sociale përmes krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale, drejt Kryeministrit, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Komisioneve Parlamentare, etj. Këtë e ka adresuar edhe përmes publikimit të Analizave Buxhetore për Financimin e Shërbimeve Sociale (2014 – 2018) si dhe hulumtimeve, sikurse Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijëve (2016 & 2018).

KOMF mbetet i përkushtuar të kontribuojë më tutje në procesin e hartimit të ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me qëllim sigurimin e qëndrueshëm të financimit të shërbimeve sociale për mbrojten e fëmijëve.