Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF është duke implementuar një projekt të mbështetur nga BE dhe të menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë: “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë”. Ky projekt ka filluar në Janar 2017 dhe do të implementohet përgjatë dy vitesh.

Kontrata e përbashkët është nënshkruar në kuadër të thirrjes për propozime: Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut – EIDHR (Fusha 3 – Të drejtat e fëmijëve), që ka si qëllim të ndihmojë shoqërinë civile për tu bërë një forcë efektive për reforma politike dhe mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Përmes këtij projekti, KOMF do të implementojë Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0, përmes grumbullimit të të dhënave dhe hulumtimit në lidhje me sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, të bazuar në indikatorët e indeksit. KOMF do të adresojë të gjeturat dhe rekomandimet drejt Kuvendit, Qeverisë, Avokatit të Popullit dhe Medias.

Ndërkohë, me qëllim të fuqizimit të organizatave vendore, 45% e buxhetit të këtij projekti, do të shpërndahet nga KOMF përmes nënfinancimit të OJQ-ve lokale në shtatë komuna, për të fuqizuar kapacitetet e tyre në avokim në nivel lokal me qëllim për të përmirësuar mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Këto OJQ lokale do të mbështesin shtatë komunat në hartimin e planeve të veprimit mbi mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Projekti do të ketë gjithashtu impakt në rritjen e mbulimit mediatik mbi çështjet e lidhura me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.