­

Ligji i ri për Edukimin Parashkollor do të përcaktoj masa të mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve

Koncept dokumenti për Edukimin Parashkollor – Edukimin në fëmijërinë e hershme është miratuar nga Qeveria e Kosovës, me ç’rast është pranuar rekomandimi i KOMF për parashikimin e masave dhe procedurave për të siguruar ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët në institucionet parashkollore.

Grupi Tematik për Arsim në KOMF ka dërguar kontributin në draft koncept dokumentin për Ligjin për Edukimin Parashkollor në kuadër të procesit të konsultimeve publike, ku ka rekomanduar që ligji duhet të parashikojë krijimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet parashkollore për të siguruar standardet më të larta të sjelljes dhe praktikave profesionale në mënyrë që fëmijët të jenë të mbrojtur dhe të sigurtë në institucionet parashkollore.

KOMF ka vlerësuar se ligji aktual për edukimin parashkollor i hartuar në vitin 2006, nuk është në hap me politikat dhe praktikat e shteteve të zhvilluara sa i përket mbrojtjes së fëmijëve në institucionet parashkollore. Ligji nuk përcakton krijimin dhe zbatimin e Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet parashkollore, si mjet kyç për të siguruar ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët. KOMF ka potencuar që për më shumë, Politika do të sigurojë që parimet e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve të aplikohen dhe zbatohen.

Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë në kuadër të koncept dokumentit, e ka pranuar pjesërisht rekomandimin e KOMF, duke e reflektuar në koncept dokument si vijon: “Ligji i ri do të përcaktoj masa të mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve; Ligji i ri do të harmonizohet me konventën për të drejtat e fëmijëve.

KOMF do vazhdojë të promovojë modelin e Politikës së Mbrojtjes së Fëmijës, si një mjet që rrit vetëdijen dhe të kuptuarit e përbashkët mbi abuzimin, si dhe krijon një sistem parandalimi, reagimi dhe mbrojtjeje për fëmijët ndaj formave të ndryshme të abuzimit. Këtë do ta bëjë përmes kountribuimit në avancimin e legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve të organizatave dhe institucioneve për zbatim të politikës dhe rritjes së vetëdijësimit mbi rëndësinë e aplikimit të masave dhe procedurave për mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve.

January 22nd, 2019|