Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovc – KOMF, në partneritet me Organizatën për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP, përmes projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndan çmimet vjetore për tregimet më të mira në media, në fushën e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, me fokus në të drejtat e fëmijëve në Kosovë, për vitin 2019.

Gjashtë çmime vjetore në gazetari, në vlerë prej 500 Euro secila, do të ndahen për shkrimet apo reportazhet më të mira të botuara në gazeta, portale dhe televizione të ndryshme në Kosovë, gjatë vitit 2019.

Aplikantët që konkurojnë duhet t’i përmbahen këtyre kritereve:

  1. Të kenë shkrim apo reportazh televiziv që trajton tema të cilat kanë të bëjnë me fëmijët dhe ndërlidhen me shërbimet dhe mbrojtjen e tyre në Kosovë, të botuara nga data 05 Nëntor 2018 deri në datën e shpalljes së këtij konkursi;
  1. Të dorëzojnë publikimin e tyre në formë të shtypur / CD me datën e saktë të botimit, bashkë me kopjen e letërnjoftimit dhe të dhënat e mediumit ku punon, në një zarf të mbyllur në zyrën e KOMF; Në zarf duhet të shkruhet emri dhe mbiemri i aplikantit, emri i mediumit dhe titulli i punimit të dorëzuar;
  1. Gazetarët kanë të drejtë të aplikojnë me më shumë se një botim / punim.

Afatet për aplikim:

  • Konkursi do të qëndrojë i hapur që nga data e shpalljes së tij në www.portalpune.com dhe faqet zyrtare të KOMF, SOS dhe OFAP, nga data 11 Nëntor 2019 deri më 27 Nëntor 2019.
  • Çmimet për fituesit do të ndahen gjatë një ceremonie solemne e cila do të organizohet gjatë muajit Dhjetor 2019.

KOMF, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP inkurajojnë të gjithë gazetarët që kanë punuar shkrime apo reportazhe televizive të të gjitha trajtave, të cilat trajtojnë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë, dhe të cilat kanë synuar dhënien e kontributit në përmirësimin e mbrojtjes sociale dhe decentralizimit të shërbimeve sociale, të aplikojnë për gjashtë çmimet e mëdha që do të ndahen këtë vit.