Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zhvilloi tryezën e parë për të sjellë qëndrimet e akterëve kyç lidhur me rishikimin e legjislacionit për mbrojtjen sociale dhe bashkëpunimin me sektorin joqeveritar.

Kjo tryezë mundësoi diskutime mes akterëve kryesor të fushës duke i dhënë zë pikëpamjeve të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, duke thelluar rekomandimet në lidhje me hartimin e mëtejshëm të Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare, Formulës së Grantit Specifik për Shërbime Sociale, Reformës në Skemën e Ndihmës Sociale dhe Planeve Komunale për Shërbime Sociale.

Në fjalën e hapjes morën pjesë: Z. Mentor Morina – UD i Departamentit për Politikat Sociale dhe të Familjes – MPMS, Z. Gani Lluga –  përfaqësues i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Z. Abaz Xhigolli – Përfaqësues nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale.

Morina ndër të tjera theksoi se ky takim është shumë i rëndësishëm jo vetëm për tu informuar për reformat në tërësi por edhe për të nisur një bashkëbisedim me palët e interesit në mënyrë që të diskutohet për të gjitha sfidat e deritanishme të Qendrave për Punë Sociale për ti adresuar ato saktësisht përmes reformave.

Përfaqësuesi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF z. Gani Lluga prezantoi qëndrimin e KOMF mbi Koncept Dokumentin për Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe nënvizoi faktin se kjo reformë është tejet e domosdoshme për të përmirësuar problemet e evidentuara në Ligjin aktual dhe për ta bërë atë të zbatueshëm.

Ndërkohë përfaqësuesi nga Lidhja e Qendrave për Punë Sociale z. Abaz Xhigolli, prezantoi qëndrimin e Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale në raport me hartimin e këtij Ligji në mënyrë që Qendrat për Punë Sociale të mund të ofrojnë shërbime cilësore brenda mandatit të tyre.

Pas fjalës hyrëse, u zhvillua një diskutim i hapur mes përfaqësuesve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Qendrat për Punë Sociale, organizatat anëtare të KOMF dhe UNICEF. Ndër të tjera pjesëmarrësit diskutuan rreth nevojës së punëtorive me Qendrat për Punë Sociale përgjatë procesit të hartimit të Ligjit në mënyrë që të konsultohen dhe konsolidohen rekomandimet e tyre, rreth rëndësisë së standardeve e licensimit në ofrim të shërbimeve cilësore si dhe rreth rëndësisë së rregullimit me Ligj të strukturës, përbërjes dhe organizimit të QPS.

Kjo tryezë i paraprin tryezave tematike të cilat KOMF në partneritet me MPMS do të organizojë për rekomandimet konkrete për tu përfshirë në këtë Ligj.

Ky takim u mundësua në kuadër të projektit “Joint Action for Decentralization” (Aksioni i Përbashkët për Decentralizim), projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP dhe KMOP.