Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në partneritet me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë ka mbajtur punëtorinë për validimin e Strategjisë së Avokimit për decentralizimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

Kjo punëtori është vazhdimësi e takimeve të Grupit Tematik për Mbrojtje në kuadër të KOMF,  gjatë të cilave është bërë identifikimi i nevojave dhe më pas edhe hartimi i Strategjisë së Avokimit 2019 – 2021, për decentralizimin e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë.

Kjo punëtori ishte takimi i fundit i këtij Grupi Tematik sa i përket Strategjisë për Avokim. Gjatë kësaj punëtorie, pjesëmarrësit finalizuan dhe validuan Strategjinë, që do të shërbejë si dokument bazë në gjithë platformën avokuese të rrjetit, drejt përmbylljes së procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

Pas validimit të kësaj strategjie, është paraparë të mbahet edhe një trajnim më gjithë rrjetin, për zbatimin me efikasitet të strategjisë dhe mbërritjen e objektivave të vendosura në këtë dokument.

Punëtoria u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e BE–së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAPSOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.