Nisur nga rasti i fundit i abuzimit seksual të nxënëses nga komuna e Drenasit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF reagon duke dënuar ashpër abuzimin seksual të nxënëses, të miturës nga Komuna e Drenasit nga të dyshuarit dhe kërkon masat e menjëhershme ndaj tyre të cilët në bazë të obligimeve të tyre ligjore dhe etike, do të duhej të siguronin dhe ofronin mbrojtjen e fëmijëve.

KOMF kërkon nga institucionet komunale në komunën e Drenasit të ndërmarrin në mënyrë të menjëhershme të gjitha masat dhe shërbimet e nevojshme për të siguruar mbrojtjen, rehabilitimin dhe re integrimin e viktimës. Shërbimet ti ofrohen edhe familjes, për të siguruar që familja është një mjedis mbështetës, pranues dhe jo diskriminues, i cili gjithashtu i shërben rehabilitimit dhe re-integrimit të viktimës.

KOMF i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës të ndërmarrin të gjitha masat për të sjellur para përgjegjësisë dhe për të ndëshkuar të dyshuarit për veprat penale përkatësë (abuzim seksual me fëmijë, keqpërdorim i detyrës zyrtare e të tjera).

KOMF kërkon dhe iu bën thirrje Mediave dhe të gjithë qytetarëve që të mbrojnë personalitetin e të miturës viktimë dhe të shmangin stigmatizimin, duke mos publikuar dhe shpërndarë imazhet, fotografitë apo të dhënat për fëmijën dhe familjen.

Abuzimi seksual i nxënësve/fëmijëve, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe etike. Abuzimi seksual me fëmijë, bie në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, Rregulloret përkatëse të punës së mësimdhënësve.

Abuzimi seksual i fëmijëve është forma më e rëndë dhe ekstreme e abuzimit ndaj fëmijëve. Ai lë gjurmë e pasoja afatgjata tek fëmijët, shkakton dëm fizik e psikologjik shumë të rëndë, afekton zhvillimin dhe të ardhmen e fëmijës.