Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, i cili përfaqëson 27 organizata jo qeveritare, me rastin e javës dedikuar ushqyerjes me qumësht gjiri të fëmijëve, apelon për vetëdijësim dhe promovim të vazhdueshëm të gjidhënies si një nga faktorët më thelbësor që i kontribuon shëndetit dhe mirëqenies së fëmijës.

Të ushqyerit e fëmijëve me qumësht gjiri rrit mundësitë e tyre për mbijetesë, siguron rritje dhe zhvillim optimal, posaçërisht në dritaren kritike nga lindja e deri në moshën 2 vjeçare. Ushqyerja me qumësht gjiri konsiderohet të jetë nxitësi i vetëm e më efektiv i sistemit imunitar të fëmijës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 45% e të posalindurve në Kosovë ushqehen me gji brenda orës së parë pas lindjes ndërkohë që më shumë se katër të pestat (86%) ushqehen me gji brenda ditës së parë pas lindjes.

Fatkeqësisht të ushqyerit vetëm me gji është prevalent për vetëm 40% të fëmijëve nën moshën 6 muajsh.

Shumë nëna në Kosovë nuk e fillojnë të ushqyerit me gji mjaftueshëm herët, apo nuk i ushqejnë fëmijët e tyre vetëm (ekskluzivisht) me gji për 6 muajt e rekomanduar apo ndalojnë të ushqyerit me gji shumë herët. Shpeshherë për shkak të informimit jo të mirë, nënat kanë tendenca për të kaluar në qumësht formulë, i cili mund të ndikojë në kufizim të rritjes dhe kequshqyerje me lëndë mikro ushqyese. Kjo gjë mund të jetë e pasigurt nëse kushtet higjienike, përfshirë ujin e pijshëm, nuk janë në nivel.

Organizatat udhëheqëse në shëndetësi, vendore e ndërkombëtare, rekomandojnë që foshnjat të ushqehen me gji brenda orës së parë të lindjes dhe të ushqehen vetëm me gji gjatë 6 muajve të parë të jetës.

KOMF bën thirrje për të mbështetur praktikën e gjidhënies si dhe promovon gjidhënien për një jetë të shëndetshme për fëmijën.