Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka përmbyllur me sukses projektin “Të ndalojmë dhunën ndaj fëmijëve”, të mbështetur nga BE dhe UNICEF. Projekti është implementuar gjatë periudhës Mars 2017 – Tetor 2018.

Ndër të arriturat kryesore të projektit janë:

KOMF ka zhvilluar konsultimet për të sjellë qëndrimet e akterëve kyç të shoqërisë civile dhe akterëve relevant të institucioneve publike lidhur me hartimin dhe plotësim ndryshimin e dispozitave që prekin fëmijët në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Draft Kodin Civil dhe Koncept dokumentin për ndryshimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare. KOMF ka zhvilluar konsultime edhe me fëmijë, për të marrë pikëpamjet e tyre rreth fenomenit të dhunës, trafikimit ndaj fëmijëve, si dhe rreth ndryshimit të ligjeve dhe politikave të identifikuara. Rekomandimet e dala nga këto konsultime KOMF i ka dërguar drejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale, hartimit të Draft Kodit Civil si dhe hartimit të Koncept dokumentit për ndryshimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Konkretisht, KOMF ka dërguar drejt Ministrisë së Drejtësisë propozim nenet dhe rekomandimet për plotësim/ndryshimin e Kodit Penal rreth veprave penale trafikimit me fëmijë, veprave penale kundër integritetit seksual, keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi, pjesëmarrjes së fëmijëve në konflikte të armatosura etj. Një pjesë e mirë e propozim neneve të KOMF janë përfshirë në kuadër të Kodit Penal, sikurse: ashpërsimi i denimeve për veprën penale trafikim me fëmijë, veprën penale keqpërdorimi i fëmijëve në porografi si dhe përfshirja e fëmijëve në konflikte të armatosura.

KOMF në partneritet me UNICEF, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, ASTRA, Terre des hommes dhe Save the Children pas një pune intenzive një vjeçare dhe zhvillimit të një serie të konsultimeve publike me akterët relevant, kanë adresuar drejt Ministrisë së Drejtësisë dokumentin me propozim – nenet për Ligjin e Familjes / Draft Kodin Civil, për mbrojtjen e fëmijëve. Propozimet prekin hartimin si dhe plotësim ndryshimin e rreth 80 neneve në kuadër të Ligjit të Familjes / Draft Kodit Civil. Kontributi i dorëzuar pritet të avancojë dispozitat ligjore lidhur me format e mbrojtjes së posaçme të fëmijëve, siç janë kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial dhe adoptimi. Mbetet që KOMF të përcjell në vazhdimësi këtë proces dhe të avokojë për përfshirjen e rekomandimeve dhe propozim neneve të adresuara.

KOMF ka hartuar dhe adresuar drejt Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale qëndrimin për koncept dokumentin për ndryshimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare. KOMF ka propozuar që ky koncept dokument duhet të adresojë: Përcaktimin e llojeve të shërbimeve sociale, fuqizimin e shërbimeve për parandalim dhe reintegim; Organizimin e shërbimeve sociale dhe familjare (fuqizimi i një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve në mes të ofruesve publik dhe joqeveritar/privat); Integrimin e shërbimeve sociale dhe familjare me shërbimet shëndetësore dhe arsimore; Zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, reformimi i formave të mbrojtjes; Fuqizimin e llogaridhënies përmes fuqizimit të njësisë së Inspektimit si dhe rregullimin e financimit të shërbimeve sociale.

KOMF zhvilloi punëtoritë në rajone me akterët kyç të institucioneve dhe shoqërisë civile në komunën e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Ferizajt dhe Pejës me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve të institucioneve dhe OJQ-ve në referimin e rasteve të fëmijëve viktima të dhunës dhe identifikimin e nevojave dhe shërbimeve përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve. Pjesëmarrës në punëtori ishin rreth 100 përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e fëmijëve viktima të dhunës, përfshirë përfaqësues nga nga Drejtoritë e Arsimit, Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave, Shërbimi Sprovues, Policia e Kosovës dhe OJQ-të.

KOMF, ka prodhuar një spot vetëdijësues mbi mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe respektimin e të drejtave të tyre. Konkretisht, ky spot ka për qëllim të rrisë vetëdijësimin e publikut të gjerë në Kosovë lidhur me nevojën për referimin dhe mbrojtjen e rasteve të fëmijëve në rrezik dhe / ose viktima të dhunës.