Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në kuadër të projektit “Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë” të financuar nga zyra e BE-së në Kosovë dhe bashkëfinancuar nga zyra e UNICEF-it në Kosovë, zhvilloi Konferencën e tretë Nacionale për të adresuar më tej rekomandimet e dala nga Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0.

Konferenca adresoi gjenden aktuale dhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe rehabilituese si dhe nevojën për avancimin e tyre, me fokus në kategoritë me të cenueshme nga mungesa e tyre, siç janë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët viktima të abuzimit me substanca narkotike.

Në fjalën e hapjes morën pjesë: Znj. Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, Z. Afrim Maliqi – Anëtar i Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, Z. Agron Gashi – Zyrtar për Shëndetësi dhe Nutricion, UNICEF si dhe Z. Safet Blakaj – Drejtor Ekzekutiv, OJQ “Labyrinth”.

Drejtoresha Ekzekutive e KOMF znj. Donjeta Kelmendi theksoi gjendjen aktuale të shërbimeve shëndetësore, me fokus të veçantë atyre dedikuar fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve viktima të abuzimit m e substanca narkotike.

Anëtari i Bordit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, z. Afrim Maliqi, nënvizoi se deri më tani shumë pak përpjekje janë bërë për të përmirësuar cilësinë e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, edhe pse ata janë pjesë integrale e gjithë shoqërisë dhe vendit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i zyrës së UNICEF në Kosovë, z. Agron Gashi prezantoi disa nga ndërhyrjet që janë duke u zhvilluar aktualisht në kontekst të shërbimeve shëndetësore për fëmijë, por ndërkohë shprehu nevojën për të rritur në vazhdimësi cilësinë e ofrimit të këtyre shërbimeve.

Ndërkohë qe Drejtori Ekzekutiv i OJQ “Labyrinth”, z. Safet Blakaj ndau disa të dhëna rreth trendit të abuzimit me substanca narkotike si dhe vuri në pah se mosha mesatare e fillimit të abuzimit me lëndë narkotike është ulur mesatarisht nga 21 në 16 vjeç.

Pas fjalës hyrëse, znj. Klevis Vaqari nga KOMF, prezantoi shkurtimisht rekomandimet Indeksit të Mbrojtjes së Fëmijës 2.0 për të rritur cilësinë e këtyre shërbimeve, sidomos atyre dedikuar këtyre dy kategorive të fëmijëve, të cilat janë evidentuar si ndër më kritiket, në Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijëve 2.0.

Tryeza përfundoi me disa rekomandime kyçe të cilat do të përcillen nga KOMF drejt institucioneve relevante, me qëllim të avancimit të këtyre shërbimeve dhe rritjes së cilësisë së tyre:

  • Zhvillimi i programeve/aktiviteteve që synojnë parandalimin e abuzimit me narkotikë në shkolla;
  • Sigurimi i statistikave nacionale për të dyja kategoritë e fëmijëve, me të dhënat dhe ndarjet përkatëse për secilën kategori;
  • Sponsorizimi i shërbimeve nga ana e shtetit, për shërbimet e ofruara nga sektori jo qeveritar;
  • Harmonizimi i legjislacionit me fokus moshën e lejuar për konsumim dhe shitje të alkoolit;
  • Ngritja e kapaciteteve të profesionistëve të dedikuar për ofrim të këtyre shërbimeve, për të rritur identifikimin, referimin dhe trajtimin e këtyre rasteve;
  • Përfshirja e dukurisë së fëmijëve viktima të abuzimit me substanca narkotike dhe trajtimit të tyre në programet e trajnimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale;
  • Zgjerimi i vizitave mjekësore në shtëpi për të siguruar shtrirje të vizitave në gjithë territorin;