Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka dërguar rekomandimet për koncept dokumentin për Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal.  Rekomandimet e KOMF janë të bazuara në burimet dhe rekomandimet e organizatave anëtare të KOMF ofruese të shërbimeve sociale si dhe rekomandimeve të analizave buxhetore dhe hulumtimeve paraprake të KOMF sikurse:
a) A po arrijnë tek fëmijët në nevojë paratë e taksapaguesëve? – Analiza buxhetore mbi politikat sociale për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë;
b) Financimi i shërbimeve sociale në Kosovë;
c) Indeksi i Mbrojtjes së Fëmijës 2.0 si dhe
d) Analizë e Situatës: Konteksti ligjor dhe fiskal si dhe kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale në Kosovë – Raport nga Save the Children.

Rekomandimet e dërguara nga KOMF kanë të bëjnë me:

Arsyetimi pse duhet të ketë grant specifik për shërbime sociale – Mungesa e një granti specifik për komunat për shërbimet sociale pamundëson ofrimin e shërbimeve cilësore minimale. Kjo i pamundëson institucionet komunale në përmbushjen e mandatit dhe obligimeve të parapara me legjislacionin në fuqi. Nëse vazhdohet me këtë formë të financimit gjendja mund të keqësohet për aq sa të shëndrrojë Qendrat për Punë Sociale në qendra jofunksionale, të cilat duke mos u financuar mjaftueshëm nuk do të mund të ofrojnë shërbime sociale.
Granti Specifik për shërbime sociale të jetë i tipit të mbyllur – Për të siguruar një financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale në Kosovë rekomandohet që LFPL të orientohet sipas njërës nga dy alternativat:
Alternativa I: Grant specifik për shërbimet sociale i llojit të mbyllur, e cila është alternative më adekuate për arsye se siguron një minimum të sigurt të ofrimit të shërbimeve sociale.
Alternativa II:  Ndarje e dedikuar për shërbime sociale  në përqindje brenda grantit të përgjithshëm.
KOMF rekomandon fuqishëm Alternativën I sepse garanton minimumin e financimit për derisa potencon që alternativa e dytë nuk garanton siguri financiare në masë sikurse alternativa e pare.
Përcaktimi i indikatorëve social – Krahas numrit të klientëve/përfitesëve të shëbrimeve sociale, indikatorët social do të ndikojnë në buxhetin e paraparë për grantin specifik për shërbime sociale, prandaj përcaktimi i tyre është më se i nevojshëm;
Kontraktimi i shërbimeve nga sektori joqeveritar dhe privat – Shërbime trezidenciale dhe ditore ofrohen kryesisht nga sektoi joqeveritar përmes nënkontraktimit nga sektori publik (MPMS dhe Komunat). Kjo formë e ofrimit të shërbimeve garanton më shumë cilësi dhe ka poashtu kosto më të ulët financiare për sektorin pubik. Ofrimi i shërbimeve përmes kontraktimit të sektorit jo-qeveritarë është politikë/ praktikë që ndjeket nga të gjitha shetetet e Europës perendimore.
Parashikimi i buxhetit edhe për shërbimet sociale për parandalim dhe reintegrim në kuadër të formulës së financimit. Përshkak të kufizimeve në burime njerëzore dhe buxhetore, aktualisht shërbimet sociale janë të fokusuara në ofrimin e shërbimeve emergjente dhe ka mungesë të ofrimit të shërbimeve të parandalimit dhe të riintegrimit, të cilat janë të domosdoshme për mirëqenien e personave në nevojë për shërbime sociale.

KOMF do të përcjellë në vazhdimësi procesin si dhe do avokojë për rregullimin e bazës ligjore për sigurimin e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale.