KOMF përmes ChildPact ka ofruar kontributin për përgatitjen e Pakos së Zgjerimit EU 2019.

Mbrojtja e fëmijëve dhe të drejtat e fëmijëve po përballen me vështirësi të ngjashme në rajon, me disa veçori që do të theksohen në seksionet specifike të vendit.

Kosova ka vazhduar përpjekjet për përmirësimin e situatës së mbrojtjes së fëmijëve dhe të drejtave të tyre gjatë vitit të kaluar. Mangësitë mund të identifikohen ende dhe përpjekjet për të mbështetur ndryshimet e nevojshme kërkohen në disa fusha. Projektligji për Mbrojtjen e Fëmijëve nuk është miratuar ende. Duhet të krijohet buxhetim adekuat në të gjitha nivelet për të mundësuar që akterët që mbajnë përgjegjësi në kuadër të ligjit të kryejnë në mënyrë adekuate detyrat e tyre pas miratimit të ligjit nga Kuvendi.

Përkundër decentralizimit të shërbimeve sociale në janar të vitit 2009, burimet njerëzore dhe financiare janë të kufizuara. Mungesa e Grantit Specifik për Shërbime Sociale pamundëson ofrimin minimal të shërbimeve cilësore për mbrojtjen e fëmijëve. Mungesa e buxhetit pengon institucionet në përmbushjen e mandatit dhe detyrimeve të tyre sipas legjislacionit.

Dispozitat ekzistuese ligjore sipas Ligjit për Skemën e Asistencës Sociale kufizojnë përfitimet e asistencës sociale për familjet me fëmijë nën moshën 5 vjeç. Kriteri (i) i kategorisë II, neni 4, (sipas këtij ligji), ku përcaktohet se familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën pesë vjeçare, është diskriminues dhe absolutisht i papranueshëm. Ky kriter përjashton familjet, pikërisht kur fëmija duhet të fillojë arsimin dhe rrjedhimisht familja do të ketë shpenzime edhe më të mëdha.

Fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me kufizime të të drejtave të tyre, posaçërisht qasjes në shërbime sociale, shëndetësi dhe arsim. Shërbimet rehabilituese të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të mbahen dhe të mbështeten financiarisht nga shteti. Ne rekomandojmë që praktikat e mira dhe modelet e suksesshme të intervenimit të implementuara nga OJQ-të të merren parasysh dhe të rriten.

Puna e fëmijëve vazhdon të jetë shqetësuese; aktualisht nuk ka ndonjë shërbim specifik për fëmijët; duke përfshirë shërbimet në terren, si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe riintegrimit (duke përfshirë mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre).

Grumbullimi dhe menaxhimi i të dhënave mbetet një sfidë, veçanërisht në lidhje me punën e fëmijëve, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët viktima të abuzimit me droga dhe çështje të tjera që lidhen me fëmijët.

Kosova momentalisht nuk siguron sigurim shëndetësor dhe për këtë arsye shpenzimet nga xhepi i qytetarëve për shërbimet shëndetësore mbeten të larta. Vlerësohet se gati një e treta e popullsisë nuk kanë qasje të lehtë në shërbimet e kujdesit shëndetësor ose kanë qasje të kufizuar vetëm për shkak të mungesës së mjeteve dhe se 18% e popullsisë, për arsye ekonomike, nuk kërkojnë shërbime shëndetësore në rast të sëmundjes.

Disa nga rekomandimet kryesore, bazuar në situatën e përshkruar më sipër, përfshijnë:

  • Miratimi i Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe sigurimi i buxhetimit adekuat në kuadër të ligjit për përmbushjen e detyrave përkatëse pas miratimit të ligjit nga Kuvendi;
  • Sigurimi i financimit të qëndrueshëm dhe adekuat për shërbimet sociale në Kosovë përmes ndryshimit të Ligjit Nr. 03 / L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale; ky grant duhet të ketë kritere të qarta për të siguruar financim të drejtë dhe adekuat të shërbimeve sociale;
  • Rishikimi ose reformimi i politikave sociale për uljen e varfërisë, përkatësisht reformimi i skemës së ndihmës sociale nëpërmjet ndryshimit të Ligjit për Asistencë Sociale; heqja e kriterit (i) për kategorinë II, Neni 4, ku thuhet se familja duhet të ketë së paku një fëmijë nën moshën 5 vjeç dhe rritja e shumës mujore të ndihmës sociale për të përballuar kushtet themelore të jetesës për një familje;
  • Ndryshimi i Ligjit për Mbështetje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara për të përfshirë mbrojtjen gjithëpërfshirëse për të gjitha llojet e aftësisë së kufizuar; sponsorizimi i shërbimeve të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara për ofrimin e shërbimeve të përditshme të rehabilitimit dhe riintegrimit; të garantojnë shërbimet shëndetësore cilësore për fëmijët me aftësi të kufizuara, sigurimit të rregullt të barnave, furnizimeve dhe pajisjeve të domosdoshme; heqjen e pengesave për qasje, transportin, komunikimin, informacionin në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë qasje në edukimin e duhur dhe jetën sociale;
  • Ngritja dhe zhvillimi i shërbimeve bazë për fëmijët e përfshirë në punë të rrezikshme është një masë e menjëhershme që duhet të ndërmarrin qeveria dhe komunat; krijimin e ekipeve mobile për shërbime në terren me qëllim identifikimin dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët;
  • Hulumtimi dhe grumbullimi i të dhënave duhet të mblidhen për të përcaktuar numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë dhe fëmijët viktima të abuzimit me droga;
  • Kosova duhet të zbatojë Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, i cili aktualisht nuk po zbatohet.

Dokumentin me kontributin e ofruar si dhe disa nga sfidat kryesore në mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve në rajon mund ti lexoni duke klikuar këtu.