Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në kuadër të Grupit Tematik për Arsim, zhvilloi tryezën me temë “A respektohet interesi më i mirë i fëmijës brenda sistemit arsimor?”

Gjatë kësaj tryeze u prezantuan pikëpamjet e shoqërisë civile, nxënësve, prindërve etj., lidhur me atë se a është konsideratë primare interesi më i mirë i fëmijës brenda sistemit arsimor, në kuptimin e legjislacionit, politikave, kurrikulës, ndarjes buxhetore për arsim, organizimit të sistemit arsimor, mësimdhënies dhe edukimit, qasjes pedagogjike, cilësisë dhe infrastrukturës.

Lidhur me qëllimin e takimit, foli Petrit Tahiri, kryesues i Grupit Tematik për Arsim – KOMF. Përderisa Remzije Krasniqi, anëtare e këtij grupi, Agnesa Qerimi, Drejtoreshë e Këshillit Rinor Kosovar dhe Ymret Reshiti, Kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me interesin më të mirë të fëmijës në sistemin arsimor.

Sipas Krasniqit, organizimi i sistemit arsimor vazhdon të mos ketë për bazë interesin më të mirë të fëmijës. Ajo tha që gjendja psikologjike e fëmijëve nuk konsiderohet e rëndësishme gjatë veprimeve në kuadër të sistemit arsimor. Përgjatë dhjetë viteve të fundit, sistemi arsimor ka pësuar ndryshime të shumta, duke përfshirë ndryshimet e shpeshta kurrikulare, tekste të vjetra dhe jo në përputhje me trendet bashkëkohore e shpesh me përmbajtje të papërshtatshme, diskriminuese madje edhe me gabime të shumta drejtshkrimore dhe gjuhësore, përfshirjen e testeve të reja për nxënësit, shtimin dhe përfshirjen e lëndëve të reja, ndryshimet në procesin e vlerësimit, ndërprerjet e procesit arsimor si pasojë e grevave të mësimdhënësve etj.

Drejtoresha e Këshillit Rinor Kosovar, Agnesa Qerimi u shpreh që sistemi aktual arsimor nuk i përmbush nevojat elementare të nxënësve as në nivelin fillor dhe as të mesëm. Sipas Qerimit, një shembull konkret i mos-respektimit të interesit më të mirë të fëmijës janë grevat e fundit të mësimdhënësve të cilat nuk morën aspak parasysh të drejtat e nxënësve për arsim.

Ndërkohë Kryesuesi i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti tha që ndërhyrjet e grupeve të ndryshme të interesit vazhdojnë të ndërhyjnë sistemin arsimor duke mos pasur për bazë interesin më të mirë të fëmijës. Ai shtoi që roli i prindërve duhet të jetë më aktiv, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse për të gjitha parregullsitë që po ndodhin në sistemin arsimor.

Pas fjalëve hyrëse pjesëmarrësit vazhduan me diskutim dhe propozim të rekomandimeve lidhur me interesin më të mirë të fëmijës brenda sistemit arsimor.

Rekomandimet kryesore të dala nga kjo tryezë ishin:

  • Vënia prioritet e sektorit të arsimit në kuadër të politikave të Qeverisë, rishikimi dhe rritja e buxhetit për arsim në mënyrë që ai të jetë në përputhje me politikat dhe strategjitë dhe të mundësojë zbatimin e tyre në praktikë.
  • Krijimi i ambienteve miqësore në shkolla me qëllim të garantimit të sigurisë dhe parandalimit të të gjitha formave të dhunës;
  • Ndalimi i përdorimit të formave të dhunës në shkolla ndaj nxënësve, raportimi dhe marrja e masave ligjore në parandalimin dhe ndëshkimin e rasteve të dhunës në shkolla.
  • Ngritja e kapaciteteve përmes trajnimeve dhe zhvillimi i kapaciteteve të mësimdhënësve për të mundësuar punë efikase e cilësore të tyre me fëmijët. Ofrimi i programeve të disiplinës pozitive për mësimdhënësit për praktikimin e metodave pozitive për edukimin e fëmijëve.
  • Aktivizimi i Inspektorëve të Arsimit në inspektimin e mbarëvajtjes së procesit mësimor; duke siguruar zbatimin e legjislacionit, ndër to edhe ato që sanksionojnë dhunën në shkolla dhe zbatimin e Protokollit për Parandalimin e Dhunës në Shkolla.
  • Plotësimi i numrit të nevojshëm të stafit profesional pedagogjik, si psikologë e pedagogë në kuadër të stafit dhe qasjes multidisiplinare brenda shkollave.
  • Realizimi i një hulumtimi apo vlerësimi për të konstatuar ndikimin e veprimeve në sektorin e arsimit në gjendjen fizike dhe psikologjike të fëmijëve.
  • Rishikimi i menjëhershëm i teksteve shkollore për të përmirësuar terminologjinë e gabuar dhe diskriminuese që ekziston aktualisht në përmbajtje të këtyre teksteve.
  • Nevojë imediate është heqja e barrierave fizike që cënojnë qasjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në objektet shkollore.

Pas kësaj tryeze, bashkë me organizatat anëtare KOMF do të vazhdoj bashkëpunimin me Këshillin e Nxënësve, Këshillin Rinor Kosovar dhe Këshillin e Prindërve, për të dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me interesin më të mirë të fëmijëve në sistemin arsimor, së bashku me rekomandimet dhe veprimet e mëtutjeshme drejt institucioneve.

Kjo tryezë u mundësua në kuadër të projektit rajonal “Supporting Toddlers/pre-schoolers Achievement through Refined Teaching (START)”, projekt i financuar nga World Vision Gjermani. Projekti zbatohet nga koalicionet e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve në gjashtë vende: Kosovë, Shqipëri, Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Armeni dhe Gjeorgji.