Koalicioni OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF mori pjesë në takimin rajonal të mbajtur me 16 – 18 shkurt 2016, për lansimin e fazës së dytë të projektit rajonal “Të Rinj me Një Zë”. Ky projekt mbështetet nga Komisioni Evropian dhe do të vazhdojë të implementohet nga koalicionet nacionale të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje Hercegovinës dhe Malit të Zi, të cilat në të njëjtën kohë janë edhe pjesë e Koalicionit Rajonal për Mbrojtjen e Fëmijëve, ChildPact.

Objektivi kryesor i këtij projekti do të synojë një shoqëri civile më dinamike e cila në mënyrë të fuqishme promovon të drejtat sociale, ekonomike dhe të drejtat e fëmijëve të cenueshëm.

Rezultatet që projekti synon të arrijë në nivel nacional e rajonal, janë:

  1. Përmirësimi i bashkëpunimit të organizatave të shoqërisë civile dhe autoriteteve publike;
  2. Përmirësim i të kuptuarit dhe vizibilitetit të punës së zhvilluar nga ChildPact dhe Koalicionet përkatëse;
  3. ChildPact dhe Koalicionet anëtare organizojnë konsultime me fëmijë që rrezikojnë margjinalizimin social dhe ekonomik dhe e përdorin ekspertizën për të prodhuar kërkime dhe hulumtime të cilësisë së lartë, monitorim dhe avokim strategjik;
  4. Institucionet qeveritare e njohin vlerën dhe pjesëmarrjen e Koalicioneve anëtare të ChildPact në proceset reformuese.