Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, lansoi Indeksin e Mbrojtjes së Fëmijës, i cili nxorri në pah se si Kosova performon në më shumë se 600 indikatorë, të përshtatura nga lista zyrtare e zbatimit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës.

Folës në këtë konferencë ishte kryeministri Isa Mustafa i cili ndër të tjera potencoi se Indeksi është një mjet i dobishëm, që siguron një qasje avokuese të bazuar tek provat në diskutimet e politikave; identifikon nevojat dhe mangësitë në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve; krijon mundësi për krahasime brenda rajonit për qëllim avokimi dhe financimi; nxit përmbledhje të dhënash, si dhe unifikon përpjekjet mes sektorëve të ndryshëm në bazë të parimeve të përbashkëta.

Avokati i Popullit Hilmi Jashari theksoi se është shumë me rëndësi që ofrimi i evidencave të bazohet në indikatorë konkret për të matur të arriturat dhe zbrazëtirat në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Nataliya Apostolova – Shefe e zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë u shpreh “Kemi parë përmirësime në kornizën ligjore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, por mendojmë se duhet të bëhet më shumë përmes alokimit të buxhetit adekuat për mbrojtjen e fëmijëve dhe krijimit të Grantit Specifik për Shërbime Sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal”.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets theksoi se çdo herë kur dështohet të mbrohet një fëmijë, dështon edhe shoqëria. Ajo inkurajoi institucionet e Kosovës, që t’i ndërtojë kapacitetet e kërkuara, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë James Mugaju, deklaroi se investimi në fëmijë, është investim në të ardhmen e Kosovës. Por sfidë sipas tij mbetet implementimi i kornizës ligjore ekzistuese.

Të gjeturat e Indeksit tregojnë që Kosova ka krijuar legjislacion të mirë për mbrojtjen e fëmijëve, por pikë të ulëta ka marrë në ofrimin e shërbimeve, kapaciteteve dhe llogaridhëniës. Të dhënat krahasimore në mes të shteteve tregojnë që Kosova duhet të ndërhyjë menjëherë në fushën e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijët të cilët punojnë punë të rënda, ku Kosova rradhitet në vendin e tetë nga nëntë shtetet ku është implementuar Indeksi sa i përket mbrojtjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe në vendin e pestë sa i përket mbrojtjes së fëmijëve të përfshirë në punë të rënda. Indeksi njeh poashtu progresin e arritur në Kosovë sa i përket mbrojtjes së fëmijëve pa përkujdes prindëror.

Disa nga rekomandimet kryesore të Indeksit janë:

• Adoptimi i standarteve financiare për të financuar në mënyrë të duhur shërbimet dhe për ti vënë në linjë me standartet e cilësisë. Pa standarte financiare të vendosura, është vështirë të sigurohet buxheti i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për shërbime.
• Krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm, të pavarur për monitorim dhe inspektim për kontrollin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve private dhe publike dhe për administrimin e licensimit.
• Krijimi i planit për financim të qëndrueshëm dhe të drejtë të shërbimeve sociale në tërë Kosovën përmes krijimit të grantit specifik për shërbime sociale.
• Mbledhja e të dhënave për të përcaktuar dominimin e çështjeve të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.