Në vazhdën e aktiviteteve të organizuara për nder të shënimit të 30 vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijës, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka mbajtur Konferencën për Media, ku ka prezantuar një dokument me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. Konkretisht, kjo konferencë u organizua nga Grupi për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi i cili funksionon në kuadër të KOMF, ku janë paraqitur të dhëna mbi gjendjen faktike të ndotjes së ajrit në Kosovë, dëmet që shkaktohen tek shëndeti i fëmijëve dhe rekomandime konkrete për institucionet përgjegjëse.

Dokumenti u prezantua nga Donjeta Kelmendi nga KOMF, Vlorian Molliqaj nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe Bukurezë Surdulli nga KOMF.

Viteve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me problemin e ndotjes së ajrit, sidomos në zonat urbane. Fëmijët janë pjesa më e atakuar nga dëmet shëndetësore fizike dhe psikologjike që shkakton ndotja e ajrit. Sipas matjes së ndotjes së ajrit në Kosovë, të bërë nga Ambasada e SHBA-së, në dimrin e vitit 2017 gjendja ka qenë alarmuese, ku indeksi ka shënuar një vlerë më të lartë se 500 μg/m³, e cila konsiderohet si vlerë alarmante sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, është vlerësuar që ndotja e ajrit në Kosovë shkakton 852 vdekje të parakohshme, 318 raste të reja të bronkitit kronik, 605 raste të pranuara në spital dhe 11,900 vizita emergjente në çdo vit.  Studimet e fundit tregojnë se personat që kanë qenë më të ekspozuar gjatë fëmijërisë së tyre në ajër të ndotur kanë prirje për të pasur ngecje në zhvillim fizik dhe psikologjik gjatë jetës së tyre. Konkretisht, ekspozimi në ajër të ndotur ndikon në mënyrë negative në zhvillimin e trurit të fëmijës, kujtesën, bashkëveprimet sociale dhe përvetësimin e shkathtësive në përgjithësi. Kjo automatikisht vë në disavantazh fëmijët që rriten në mjedise të tilla. Përveç fëmijëve, ndotja e ajrit mund të shkaktojë dëme të mëdha edhe tek gratë shtatzëna. Ekspozimi i nënës ndaj ndotjes së ajrit mund të shkaktojë abort, lindje të parakohshme, peshë të ulët të fëmijës së sapolindur etj.

Shteti i Kosovës nuk ka zhvilluar ndonjë strategji ose plan të veprimit për të përmirësuar teknologjinë për përmirësimin e ajrit në Kosovë. Madje, nuk ka ndonjë fushatë vetëdijesimi se si teknologjia mund të kontribuojë në mbrojtjen e ajrit dhe shëndetit njëkohësisht, ndërkohë që investimi i Qeverisë në këtë segment është i fundit në vijat buxhetore. Në Kosovë mungon informimi dhe vetëdijesimi i publikut për sëmundjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit, parandalimin dhe trajtimin e tyre.

Prandaj, KOMF kërkon që ndotja e ajrit të trajtohet me urgjencë dhe me prioritet nga Qeveria e ardhshme e Kosovës. Duke marrë parasysh situatën e rëndë në të cilën gjendet Kosova sa i përket trajtimit të çështjes së ndotjes së ajrit, KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse të zbatojnë rekomandimet e mëposhtme:

  • Të zhvillohen strategji kombëtare për adresimin e çështjes së ajrit të ndotur;
  • Të zhvillohen hulumtime të bazuara në të dhëna lidhur me ndikimin e ajrit të ndotur në shëndet, me fokus fëmijët;
  • Të bëhet një analizë e ekonomisë shëndetësore për investimet e ardhshme;
  • Të bëhen hulumtime të vendeve me problematikë të njëjtë dhe përshtatje të modeleve efektive sipas kontekstit;
  • Të ndahet buxhet i mjaftueshëm për parandalimin e ndotjes së ajrit në Kosovë;
  • Të sigurohen të dhëna të sakta mbi ndotësit kryesorë të ajrit në Kosovë;
  • Të përcaktohen matësit e ndotjes së ajrit dhe të bëhen matje periodike;
  • Të zhvillohet një plan i veprimit për të planifikuar përmirësimin e ajrit në Kosovë;
  • Të sigurohen mënyra alternative të ngrohjes që nuk ndotin ambientin, me shpenzime të ulëta për qytetarët;
  • Të zhvillohen fushata vetëdijesimi mbi dëmet që shkakton ndotja e ajrit, sidomos tek fëmijët si dhe masat për mbrojtjen e shëndetit nga ajri i ndotur;
  • Të zhvillohen fushata vetëdijesimi mbi ndalimin e përdorimit të thëngjillit si burim për ngrohje gjatë dimrit;
  • Të zhvillohen fushata vetëdijesimi në shkolla për fëmijët me qëllim të edukimit të tyre mbi ruajtjen e ambientit.