Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre iu është drejtuar Ministrit të Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në detyrë Hykmete Bajrami dhe kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, sigurimin e shërbimeve esenciale për fëmijët me aftësi të kufizuar gjatë kohës së pandemisë Covid-19.

KOMF shpreh shqetësim të thellë për gjendjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe prindërve ose kujdestarëve të tyre, e cila gjatë kohës së pandemisë është rënduar edhe më shumë dhe  konsideron që mirëqenia dhe shërbimet shëndetësore, sociale dhe arsimore duhet të jenë prioritet gjatë kësaj kohe.

Bazuar në nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve ose kujdestarëve të tyre, KOMF kërkon nga institucionet qeveritare që të konsiderojnë kërkesat e mëposhtme lidhur me fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenien e tyre gjatë përballjes me COVID-19.

KOMF kërkon:

  • Qasje në informacionet dhe udhëzimet e komunikuara rreth shëndetit publik për fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo nënkupton që mesazhet e transmetuara për shëndetin publik duhet të jenë gjithëpërfshirëse, duke mos diskriminuar apo stigmatizuar askënd. Gjithashtu, këto udhëzime duhet të jenë në përputhje me legjislacionin ekzistues në raste katastrofash natyrore ose në raste emergjente. Informacionet dhe udhëzimet duhet të kenë një gjuhë të qartë për t’u lexuar dhe kuptuar; Mënyrat për qasje në informacione mund të shtohen, ku përveç internetit në kohën e pandemisë mund të vihen në dispozicion edhe linjat telefonike, videot, broshurat informuese etj, si dhe interpretimi i përshtatshëm në gjuhën e shenjave. Në rastin e informimit të fëmijëve të verbër mbi epideminë, zgjidhjet alternative rreth mbrojtjes dhe kujdesit duhet të hulumtohen dhe formulohen nga vetë këta persona dhe nga organizatat që i përfaqësojnë ata.
  • Investim në ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve të nevojshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj kohe të eliminohet çdo pengesë financiare lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor për fëmijët me aftësi të kufizuara. KOMF kërkon nga institucionet përgjegjëse që të krijojnë një pako ekonomike për mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara, e cila mund të përmbajë pagesa të shumave për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndihmë për shpenzimet specifike dhe zgjatjen automatike të çdo ndihme të marrë edhe nëse dokumentacionit të nevojshëm i ka skaduar afati. Shërbimet dhe pajisjet e domosdoshme në karantinë duhet të jenë plotësisht të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. Shërbimet shëndetësore dhe ato sociale kanë vazhdimisht mungesë të financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm. Investimi në këto shërbime është thelbësor dhe urgjent për të plotësuar shpenzimet e rritura për shkak të pandemisë, përfshirë sigurimin e ilaçeve, mjeteve mbrojtëse dhe mbështetjes për stafin që punon jashtë orarit.
  • Sigurim të produkteve esenciale, mbështetje profesionale gjatë ballafaqimit me pandeminë COVID-19 për fëmijët me aftësi të kufizuara. Asnjë fëmijë me aftësi të kufizuara nuk duhet të mbetet pa ushqim, mbështetje dhe shërbime profesionale të domosdoshme. Institucionet duhet të vendosin mekanizma për të autorizuar personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të dalin gjatë karantinimit të detyrueshëm, për periudha të shkurtra dhe në mënyrë të sigurt, kur përballen me vështirësi gjatë mbylljes dhe qëndrimit në shtëpi. Sigurimi i qasjes në internet (duke i liruar nga pagesa) dhe sigurimi i pajisjeve elektronike për familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara duhet të bëhet, në mënyrë që fëmijët me aftësi të kufizuara të mund të marrin shërbime profesionale dhe mbështetje online nga profesionistët që punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara. Një shembull i mirë i cili mund të replikohet është Komuna e Prishtinës e cila ka zhvilluar aksionin për sigurimin e pajisjeve elektronike për fëmijët në nevojë në Komunën e Prishtinës.
  • Mbështetje profesionale për prindërit/kujdestarët si dhe familjet strehuese: Kriza dhe masat e izolimit mund të përkeqësojnë shëndetin mendor dhe gjenerojnë frikë dhe ankth, prandaj mbështetja profesionale për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, është e rëndësishme dhe e domosdoshme.
  • Organizimi i vizitave në terren, nga përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për të siguruar mbrojtje, për personat e identifikuar me aftësi të kufizuara që keqtrajtohen në shtëpi ose brenda komunitetit, dhe të sigurohet mbështetje adekuate për ta në mënyrë që të respektohen të drejtat e tyre njerëzore.

Duke konsideruar interesin e përbashkët që të gjithë qytetarët të gëzojnë mirëqenie sociale, KOMF kërkon vëmendje të shtuar, në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara gjatë kohës së pandemisë COVID-19.