Koalicioni i OJQ – ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në partneritet me rrjetin KRAEEYN, ka adresuar vlerësimin lidhur me pakon e librave për grup moshën 5 – 6 vjeç.
Ky vlerësim është i bazuar në Politikën rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, e cila është publikuar në shkurt 2020.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, tashmë është në procesin e vlerësimit të teksteve shkollore, pjesë e së cilës është edhe paketa didaktike në pilotim për vitin 2019-2020 për moshën 5 – 6 vjeç.

Për këtë qëllim, KOMF ka adresuar vlerësimin të cilin mund ta lexoni më poshtë:

Librat për moshën parafillore (grup mosha 5 – 6 vjeç)

Vitin e kaluar MASHT ka iniciuar botimin e librave për punë me fëmijë të moshës parafillore. Shtëpia botuese fituese ka përgatitur një pako me libra, fletë pune dhe materiale të ndryshme të cilat konsiderohen që peshojnë rreth 7 – 8 kg. Përveç peshës, numrit të librave, fletoreve të punës, materialeve të tjera, përmbajtja pedagogjike dhe kërkesat dhe detyrat që dalin nga librat dhe fletët e punës për grupmoshën 5 – 6 vjeç është e stërngarkuar. Sa i përket këtyre librave/pakos, vlerësimi i ekspertëve të edukimit parashkollor konstaton se këto libra nuk janë fare të përshtatshme për këtë moshë, duke u bazuar në arsyetimet e mëposhtme.

Arsyetimi:

  • Për këtë moshë nuk preferohet të ketë libra specifik;
  • Fëmijët e kësaj moshë zhvillohen dhe mësojnë duke luajtur, jo duke bërë detyra, duhet pasur në mendje se loja ju jep mundësi të eksplorojnë dhe mësojnë gjëra të reja. Përmes lojës mund të mësohen të gjitha përmbajtjet që mund të ofroj një libër;
  • Ekziston tendenca e rrezikshme e shkollarizimit të klasës parafillore, gjë që këto libra e forcojnë këtë qasje. Kjo shkon përtej normave të zhvillimit të kësaj moshe, ku fëmijëve nuk duhet tu kërkohet që të ulen dhe të bëjnë detyra sipas kërkesave të librit;
  • Paraqitja e shkronjave dhe numrave, nuk është në harmoni me atë se çka mësohet në klasën e parë. Fëmijët e kësaj moshe mund të mësojnë konceptet e numrave dhe shkronjave, por përmes lojës dhe aktiviteteve kreative e jo duke u imponuar shkrimin e tyre;
  • Ka shumë burime tjera shumë të përshtatshme të cilat edukatoret/ët mund të përdorin për të mësuar fëmijët, duhet marr parasysh se shpërndarja e kësaj pako mund të kufizojë edukatoret/ët në gjetjen e këtyre burimeve;
  • Pakoja është aq e madhe dhe e ngarkuar, po ashtu është frustruese për fëmijët të cilët nuk dinë të lexojnë dhe dallojnë përmbajtjen;
  • Përmbajtja e pakos, kalon pritshmëritë e kësaj moshe, shumica e teksteve, dhe kërkesave janë përtej pritjeve të moshës;
  • Për të përcjellë zhvillimin e fëmijëve dhe të arriturat, edukatori/ja duhet të vëzhgojë fëmijën, jo të vlerësoj detyrat e tij/saj të paraqitura në një copë letre.

Rekomandim:

  • Përdorimi i pakos me libra të ndërprehet menjëherë apo të modifikohet me materiale didaktike që mund të shërbejnë si burime shtesë për edukatorët për të nxitur përdorimin e materialeve të shtypura.

Afati kohor: një muaj.