Me rastin e mbajtjes së seancës plenare ku u zhvillua Debat parlamentar lidhur me dhunën në familje dhe adresimin institucional, KOMF ka adresuar një dokument Deputetëve të Kuvendit të Kosovës mbi këtë temë.

Dokumenti përshkruan të drejtën themelore të fëmijëve për tu rritur pa dhunë dhe në një ambient të sigurtë, situatën e tyre aktuale në raport me dhunën dhe format e ndryshme të përdorimit  dhe nivelin e saj. Në të njëjtën kohë, ai ofron një pasqyrë të disa prej aspekteve më të rëndësishme që duhet të merren në konsideratë gjatë zhvillimit dhe zbatimit të politikave, duke ofruar rekomandime konkrete se si duhen përmbushur këto qëllime.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 61.4% e fëmijëve në Kosovë kanë konfirmuar përvojat e dhunës fizike/psikologjike brenda mjedisit familjar, gjatë muajit të fundit të intervistimit. 59% e fëmijëve kishin pësuar nga dhuna psikologjike, përderisa 24% e fëmijëve kishin pësuar nga ndëshkimi fizik. Rekomandohet fuqishëm vetëdijësimi në nivel nacional drejtuar popullatës së gjerë dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve, për të promovuar metodat pozitive të prindërimit dhe disiplinimit dhe për të eleminuar metodat e dhunshme të disiplinimit dhe ndëshkimit trupor.

Dhuna dhe ndëshkimi trupor i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e pranuar dhe e aplikuar nga prindërit dhe shoqëria jonë. Shoqëria jonë e konsideron dhunën si një metodë që i shërben edukimit dhe disiplinimit të fëmijëve. Konstatohet se deri në një nivel të caktuar, dhuna fizike justifikohet edhe nga vetë fëmijët, duke u parë më shumë si formë e disiplinimit.

Korniza ligjore obligon të gjithë zyrtarët që kanë për detyrë të kujdesen për fëmijët të raportojnë dyshimet për dhunë në Qendrën për Punë Sociale respektive ose tek autoritetet policore të Kosovës. Megjithatë, referimet nga institucionet që punojnë me fëmijë mbeten në shkallë të ulët sidomos në rastet e dhunës në shkolla. Rekomandohet që Kosova në nivel nacional të nisë me trajnime të deyruara për t’i përkujtuar zyrtarëve shtetëror dhe profesionistëve për detyrën e tyre për të raportuar rastet e dhunës së dyshuar ndaj fëmijëve.

Fëmijët kryesisht kanë informacion për dhunën fizike, përderisa kanë pak informacion për dhunën psikologjike, abuzimin seksual dhe për pasojat e tij, ndërsa neglizhimi mbetet nocion komplet i pa njohur për ata. Rekomandohen  aktivitete ndërgjegjësuese mbi dhunën të cilat do tu mundësonin fëmijëve të njohin llojet e dhunës në përgjithësi.

Disa nga pasojat më flagrante të dhunës, mund të jenë: Vdekja si pasoja më ekstreme e dhunës; Dëmtime serioze trupore, Sëmundje të rënda/serioze fizike; Zhvillimi kognitiv; Çrregullimi i stresit Post-Traumatik si pasojë e dhunës e cila përjetohet në vazhdimësi gjatë fëmijërisë; Forma të tjera të çrregullimeve si depresioni, çrregullimi i ankthit, çrregullimet e të ushqyerit etj. Vështirësi në sjellje të cilat mund të reflektohen në vitet më pas dhe gjatë moshës madhore tek këta fëmijë. Ato mund të përfshijnë përdorimin e alkoolit, abuzimin me substanca dhe deri në përfshirje në aktivitete seksuale me rrezik të lartë. Të dhënat empirike orientojnë drejt një risku më të madh të këtyre fëmijëve për të rënë në konflikt me ligjin e për tu bërë prindër në moshë adoleshente.

Sa i përket rehabilitimit dhe re integrimit të fëmijëve viktima të dhunës, buxheti aktual i ndarë nga qeveria dhe komunat është i pamjaftueshëm për të garantuar mbrojtje dhe shërbime cilësore për fëmijët që janë viktima të formave të ndryshme të dhunës. Niveli aktual i financimit nuk plotëson as për së afërmi nevojat të cilat këto shërbime kërkojnë për të qenë në nivelin optimal të funksionimit. Në përgjigje ndaj numrit të fëmijëve të cilët kanë nevojë për përkujdesje dhe shërbime, shumë strehimore dhe qendra të kujdesit ditor që janë pjesë e sektorit jo-qeveritar ballafaqohen me sigurimin ekzistencial apo qëndrueshmërinë financiare duke rrezikuar mbylljen e këtyre shërbimeve. Fëmijët që përfitojnë nga shërbimet janë të detyruar të transferohen nga një formë e kujdesit në një tjetër, gjë që përbën shkelje serioze të të drejtave të fëmijës sepse kjo mund të ketë ndikim negativ në zhvillimin fizik dhe psikologjik të tyre.

Çdo fëmijë ka të drejtën e integritetit fizik dhe personal të tij dhe të mbrojtjes nga të gjitha format e dhunës. Kosova ka përgjegjësi për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna, abuzimi, neglizhimi si dhe për të garantuar se të drejtat e tyre mbrohen, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionit vendor në Kosovë, i cili është në përputhje të plotë me kërkesat e akteve juridike më të larta ndërkombëtare.

Dokumentin e plotë, adresuar Deputetëve të Kuvendit të Kosovës mund ta gjeni të bashkangjitur.