Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” ka filluar monitorimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale.

Nga viti 2009 ka filluar procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale, ku janë bartur kompetencat nga niveli qendror (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale) drejt komunave të Kosovës.

Pas decentralizimit, Komunat kanë përgjegjësinë të ofrojnë shërbime sociale, në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familje. Kalimi i menaxhimit të shërbimeve sociale nga niveli qendror në nivelin lokal është bërë në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Financave dhe Komunave.

Megjithatë, procesi i decentralizimit po vazhdon të kalojë me shumë sfida, duke mos u realizuar ende plotësisht. Një ndër sfidat kryesore mbetet decentralizimi i buxhetit për shërbime sociale.

Për të pasur një pasqyrë të qartë për gjendjen aktuale, në kuadër të projektit “Aksioni i përbashkët për decentralizim” KOMF do të zhvilloj një proces monitorimi duke përfshirë monitorimin në pesë komuna.

Ky proces monitorimi do rezultojë me publikimin e një raporti të monitorimit i cili do të shërbej për të siguruar gjetje sa më të sakta sa i përket gjendjes aktuale dhe për të ofruar rekomandime konkrete për kompletimin e procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale.

Projekti “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, është projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e BE–së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.