KOMF dorëzon propozim nenet për Ligjin e Familjes dhe Draft Kodin Civil

KOMF dorëzon propozim nenet për Ligjin e Familjes dhe Draft Kodin Civil

26 Qershor 2018

Pas një pune intenzive një vjeçare dhe zhvillimit të një serie të konsultimeve publike me akterët relevant, KOMF në partneritet me UNICEF, SOS Fshatrat e Fëmijëve, OFAP, ASTRA, Save the Children dhe Terre des hommes, kanë adresuar drejt Ministrisë së Drejtësisë dokumentin me propozim – nenet për Ligjin e Familjes / Draft Kodin Civil, për mbrojtjen e fëmijëve.

Propozimet prekin hartimin si dhe plotësim ndryshimin e rreth 80 neneve në kuadër të Ligjit të Familjes / Draft Kodit Civil. Kontributi i dorëzuar pritet të avancojë dispozitat ligjore lidhur me format e mbrojtjes së posaçme të fëmijëve, siç janë kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial dhe adoptimi. Bazuar në praktikat e kohës, nevoja për forma të reja të mbrojtjes është më se e domosdoshme. Ndër format e reja të mbrojtjes së posaçme të fëmijëve dhe të rinjëve është edhe Jetesa e Pavarur e Mbikëqyrur.

Palë në konsultime ishin përfaqësues të shoqërisë civile dhe përfaqësues nga të gjitha nivelet sikurse zyrat ligjore të institucioneve relevante, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Institucioni i Avokatit të Popullit, gjyqtarë, mbrojtësit e viktimave, përfaqësues të institucioneve nga komunat, UNICEF, etj.

Këto konsultime kanë mundësuar sjelljen e diskutimeve në mes të akterëve kryesorë të fushës dhe kanë ofruar mundësi për ti dhënë zë pikëpamjeve të shoqërisë civile, institucioneve publike dhe grupeve të interesit, duke thelluar rekomandimet në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor për mbrojtjen e fëmijëve.

Ministria e Drejtësisë është shprehur e gatshme që gjatë muajit shtator 2018, të fillojë takimet me KOMF për shqyrtimin dhe arsyetimin e propozim neneve për Draft Kodin Civil.

No Comments

Leave a Reply