KOMF dhe KRAEEYN publikojnë Politikën rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme

KOMF dhe KRAEEYN publikojnë Politikën rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme

2 Mars 2020

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF në partneritet me rrjetin KRAEEYN, përmes një konference ka publikuar  “Politikën rekomanduese për zhvillimin në fëmijërinë e hershme”.

Në panel morën pjesë: Donjetë Kelmendi nga KOMF, Xhavit Rexhaj – Zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hana Zylfiu – Haziri nga Qendra për Arsim e Kosovës – KEC dhe Remzije Krasniqi nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë.

Donjetë Kelmendi nga KOMF theksoi që kjo politikë rekomanduese përshkruan situatën lidhur me zhvillimin në fëmijërinë e hershme dhe ofron një pasqyrë të disa prej fushave prioritare për ndërhyrje. Duke pasur parasysh që MASHTI është dikasteri udhëheqës për zhvillimin e politikave dhe strategjive për zhvillimin e fëmijërisë së hershme, kjo politikë iu adresua MASHTI por edhe sektorëve tjerë bashkë përgjegjës sikurse sektori i shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.

Zëvendesministri i MASHTI Xhavit Rexhaj u shpreh se MASHTI mirëpret rekomandimet e  politikës rekomanduese, duke e vlerësuar sidomos prioritetin për integrimin e shërbimeve për fëmijërinë e hershme në mes të sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Zëvendësministri theksoi që janë identifikuar hapësira të pashfrytëzuara të shkollave, të cilat jemi duke i konsideruar për ti shfrytëzuar për ofrim të shërbimeve për fëmijëri të hershme.

Hana Zylfiu – Haziri nga KEC dhe Remzije Krasniqi nga SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë prezantuan politikën rekomanduese duke u fokusuar në fushat prioritare për ndërhyrje për zhvillimin në fëmijërinë e hershme.

Rekomandimet e përgjithshme:

  • Hartimi i strategjisë për fëmijërinë e hershme duke përfshirë fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies e cila do parasheh korniza për shërbime të integruara;
  • Finalizimi i kurrikulës bërthamë për moshën 0 – 5. Largimi i grup moshës 5 – 6 nga kurrikula shkollore, niveli I dhe përfshirja në kurrikulën parashkollore;
  • Fuqizimi i mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve në fëmijëri të hershme;
  • Rritja e numrit të institucioneve parashkollore, nxitja e partneritetit publiko privat;
  • Zhvillimi i programeve alternative për zhvillimin në fëmijërinë e hershme;
  • Rregullimi i legjislacionit për zhvillimin e shërbimeve të integruara dhe alternative për ZHFH, duke përfshirë shërbimet arsimore, shërbimet sociale dhe shëndetësore;
  • Rritja e cilësisë së shërbimeve para-fillore (përgatitore), deshkollarizmi i klasës para-fillore, rritja e cilësisë së mjeteve dhe teksteve të punës, infrastrukturës;
  • Plotësim ndryshimi i standardeve të edukimit parashkollor për të përfshirë moshën 0 – 6 vjeç;
  • Funksionalizimi i shërbimeve profesionale përfshirë profilet: logoped, psikolog, fiziatër, pediatër, nutricist, asistentë mbështetës.
  • Përmirësimi i vlerësimit dhe inspektimit të cilësisë së shërbimeve në fëmijërinë e hershme.

No Comments

Leave a Reply