Dita Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, vazhdon ti gjejë fëmijët me aftësi të kufizuara të pambrojtur nga shteti.

Edhe pse Kosova ka përcaktuar të drejtën për ndihmë në të holla për familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara si element të mbrojtjes, Ligji për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara, vazhdon të mos garantojë mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, pasi njeh të drejtën për kompensim material vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara të përhershme. Si i tillë ai bën diskriminim dhe nuk mbulon fëmijët me aftësi të kufizuara të përkohshme dhe as fëmijët me aftësi të kufizuara të pjesshme.

Në nivel komunal, shërbimet sociale në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara vijojnë të mbesin shumë të kufizuara. Janë bërë përpjekje që qendrat e kujdesit ditor të operojnë (të administruara nga OJQ-të), por shërbimet e tilla kanë mbetur kryesisht nën mbështetjen e agjencive dhe donatorëve të huaj, ndërkohë që mbështetja shtetërore nuk është e strukturuar, nuk është e qëndrueshme dhe në të njëjtën kohë mbetet shumë e kufizuar dhe pa një qasje afatgjatë.

Të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, sa i përket qasjes së tyre në arsim, janë të përfshira në Ligjin për Arsimin Parauniversitar. Ka mungesë të vullnetit institucional në planifikimin e buxhetit për zbatimin e ligjeve dhe strategjive në arritjen e arsimit gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara. Prioritetet që lidhen me këto investime janë kryesisht të orientuara në investime kapitale, ndërsa për infrastrukturën fizike, asistentët, mësuesit që udhëtojnë dhe transportin e fëmijëve të regjistruar në sistemin e arsimit të rregullt, nuk ka ndarje të fondeve sipas nevojave dhe kërkesave.

Mësimdhënësit edhe më tej nuk kanë trajnimet dhe burimet e nevojshme që në mënyrë të vazhdueshme të përfshijnë dhe përkrahin fëmijët me aftësi të kufizuara. Mbështetja, ndihma për prindërit si dhe shtrirja për tek ta është e ulët, e fragmentuar dhe kryesisht e kufizuar në iniciativat nga shoqëria civile.

Mungesa e shërbimeve adekuate dhe të përshtatshme në nivel lokal, bën që shumë familje të ndihen të pafuqishme në mbështetjen e zhvillimit psiko-social të fëmijëve të tyre, rehabilitimin fizik në shtëpi dhe përfshirjen e tyre në shkolla dhe në jetën e komunitetit.

Për të gjitha objektet publike, infrastruktura fizike në mbështetje të fëmijëve me aftësi të kufizuara duhet të kërkohet dhe të bëhet prioritet. Politikat përkatëse që rregullojnë këtë çështje janë tashmë në fuqi por ato ende nuk janë vënë në praktikë (p.sh. në spitale, shkolla, gjykata, kuvende komunale dhe në Qendrat për Punë Sociale).

Së fundmi, të dhënat për numrin e saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë janë të kufizuara pasi nuk ka ende një institucion publik që i mbledh këto të dhëna. Mungesa e të dhënave të centralizuara në nivel nacional, kufizon planifikimin e përgjegjshëm dhe zhvillimin e programeve mbështetëse për ndërhyrje.