Projekti Fëmijët nuk kanë nevojë ta njohin dhunën, i implementuar nga Koalicioni i  OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve u financua nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Në kuadër të projektit, KOMF në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit organizoi Javën Nacionale Vetëdijësuese për Mbrojtjen e Fëmijëve Viktima të Dhunës dhe Abuzimit.

Qëllimi kryesor i projektit ishte vetëdijësimi i publikut të gjerë mbi çështjet e të drejtave të fëmijëve viktima të dhunës e abuzimit.

Aktivitetet e organizuara përgjatë javës përfshinë nivele të ndryshme të vendimmarrësve, përfaqësues të ministrive të ndryshme, prokurorisë dhe gjykatave, Qendrave për Punë Sociale, shkollave dhe përfaqësues të publikut të gjerë. Kjo e zgjeroi ndikimin mbi mbrojtjen e fëmijëve viktima dhe parandalimin e dhunës duke e raportuar atë.

Përveç pjesëmarrjes e përfaqësimit të aktorëve më relevant në nivel qëndror dhe lokal të cilët punojnë në mbrojtjen e fëmijëve, tryeza dhe debate në shkolla u zhvilluan në gjithë Kosovën duke përfshirë mbrojtësit e viktimave, prokurorë, mësues dhe nxënës të cilët paten mundësi të informohen më shumë rreth dhunës e abuzimit, rreziqet, pasojat dhe se si e ku ta raportojnë atë.