Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në partneritet dhe mbështetur financiarisht nga Terre des hommes në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit për Qeverisje të Mirë, sot me 11 qershor 2018, ka mbajtur një takim konsultativ me organizatat anëtare për të ofruar kontributin në Draft Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve.

Në takim morën pjesë përfaqësues të organizatave anëtare të KOMF si dhe përfaqesues nga Zyra e Kryeministrit për Qeverisje të Mirë si bartëse e këtij procesi.

Konkrektisht, anëtarët e KOMF ofruan kontributin e tyre rreth objektivave specifike, rezultateve dhe aktiviteteve për objektivat strategjike në kuadër të strategjisë si vijon:

Objektiva 1: Përmirësimi i qeverisjes së mirë për realizimin e të drejtave të fëmijëve;

Objektiva 2: Përmirësimi i qeverisjes lokale për realizimin e të drejtave të fëmijëve;

Objektiva 3: Përfshirja dhe fuqizimi i fëmijëve në vendimmarrje;

Objektiva 4: Gjithëpërfshirja e fëmijëve në shërbime të integruara për edukim dhe zhvillim në fëmijërinë e hershme;

Objektiva 5:  Përmirësimi i mirëqenies dhe përfshirjes sociale të fëmijëve për arritjen e potencialit të tyre të plotë;

KOMF do të vazhdojë të mbështesë procesin e hartimit të Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve përmes pjesëmarrjes, dhënies së ekspertizës profesionale dhe kontributit si anëtare e grupit të ngushtë punues përgjegjës për hartimin e strategjisë si dhe përmes organizimit të takimeve konsultuese me organizatat anëtare.