Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka mbajtur konferencën përmbyllëse të projektit “Zhvillimi i Ndërhyrjes në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë”, ku ka publikuar Udhëzuesin për Ndërhyrjen në Fëmijërinë e Hershme.

Ky projekt u financua nga Qeveria e Republikës së Bullgarisë dhe u menaxhua nga Ambasada e Republikës së Bullgarisë në Kosovë.

Në panel morën pjesë: Donjeta Kelmendi, Drejtoreshë Ekzekutive e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, Labëri Luzha – Udhëheqëse e Divizionit për Edukim të Hershëm dhe Parashkollor, MASHT, Hana Zylfiu – Haziri, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC.


Labëri Luzha nga MASHT, u shpreh se mirëpret Udhëzuesin për Ndërhyje në Fëmijërinë e Hershme, sidomos duke qenë se u publikua pikërisht në kohën kur MASHT është duke hartuar Ligjin për Fëmijërinë e Hershme. 
Në anën tjetër, Hana Zylfiu – Haziri nga KEC, prezantoi raportin e nevojave për fëmijërinë e hershme, i hartuar në kuadër të KOMF, me qëllim ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve në fushën e fëmijërisë së hershme në Kosovë.

Donjeta Kelmendi nga KOMF, prezantoi udhëzuesin e punuar nga ekspertë ndërkombëtar të organizatës nga Bullgaria “Karin Dom” me praktika e modele të shteteve të tjera si dhe udhëzime se çfarë veprimesh duhet të ndërmarrë Kosova për të zhvilluar më tej ndërhyrjen në fëmijërinë e hershme.

Udhëzime për zhvillimin e politikave dhe legjislacionit për Ndërhyrje në Fëmijërinë e Hershme:

  • Hartimi i Ligjit për NFH për zhvillimin dhe zbatimin e sistemit të NFH-së;
  • Hartimi i Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për NFH;
  • Hartimi i instrumenteve, rregulloreve, standardeve për shërbime dhe profesionistë si dhe dokumenteve të tjera për NFH;
  • Hartimi i procedurave për bashkëpunim dhe koordinim horizontal dhe vertikal ndërinstitucional.

Udhëzime për strukturat përgjegjëse për Ndërhyrje në Fëmijërinë e Hershme në nivelin nacional dhe lokal:

  • Përcaktimi i ministrisë udhëheqëse për të luajtur rol udhëheqës në planifikimin strategjik, për të mbledhur të gjithë palët dhe për të siguruar zhvillimin, miratimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave të NFH.
  • Përcaktimi i ministrive të tjera përgjegjëse mbështetëse për zhvillimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave dhe programeve të NFH.
  • Krijimi i një Komiteti Ndër-sektorial për NFH, me kompetenca të përcaktuara. Kjo trupë duhet të hartojë analizën e situatës; të zhvillojë seminare konsultative në nivel komunal, rajonal dhe qen dror; të mbajë konsultime me zyrtarë të lartë; të rishikojë dhe miratojë raportet për NFH; të ofrojë udhëzime për përgatitjen e instrumenteve, rregulloreve dhe dokumenteve të tjera për NFH; të mbajë konsultime publike me profesionistët dhe qytetarët për të shqyrtuar dokumentet ligjore; dhe të shqyrtojë dhe rishikojë të gjitha instrumentet për NFH. Komiteti Ndër-sektorial për NFH raporton tek ministritë dhe të tjerët gjatë fazave të ndryshme të hartimit të dokumenteve për të siguruar që ata janë plotësisht të angazhuar gjatë hartimit të tyre.
  • Ministritë dhe/ose Kuvendi miratojnë dhe monitorojnë zbatimin e dokumenteve ligjore dhe strateg jike për NFH.
  • Krijimi i Komiteteve lokale për NFH në komuna.

Financimi i Sistemit Kombëtar për Ndërhyrje në Fëmijërinë e Hershme:

  • Qeveria e Republikës së Kosovës bashkë me komunat duhet të financojnë shërbimet për NFH. Shërbimet e NFH mund të mbështeten edhe nga burime të tjera.