Sot është Dita Ndërkombëtare e Familjes, ditë e cila ofron një mundësi për të promovuar dhe rritur vetëdijesimin për rëndësinë e familjes së shëndetshme.

Sot më shumë se kurrë, në këtë periudhë të rëndë pandemie, familja po luan rolin krucial në mirëqenien e fëmijëve dhe anëtarëve të saj. Thirrjet po vazhdojnë nga institucionet të qëndrojmë në shtëpi, si masë për parandalimin e virusit, prandaj KOMF bën thirrje që të përfitojmë nga kjo kohë të kalojmë momente të shëndetshme brenda familjes.

KOMF dënon rritjen e dhunës në familje e cila është evidentuar në të gjithë rajonin, përfshirë Kosovën. Periudha e zgjatur e izolimit dhe kushtet e rënda të jetesës po ndikojnë në rritjen e dhunës në familje. KOMF bën thirrje për raportim të rasteve të dhunës në familje dhe ndërmarrjen e masave nga institucionet për rehabilitim dhe sigurimin e mirëqenies së viktimave dhe ndëshkimin e kryerësve.

Sot, Ditën Ndërkombëtare të Familjes, KOMF ia dedikon familjeve strehuese, SOS nënave dhe strehimoreve për mbrojtjen e fëmijëve që po ofrojnë strehim, kujdes, ambient të ngrohtë familjar dhe shërbime 24 orë për fëmijët e braktisur, fëmijët pa përkujdesje prindërore, viktima të abuzimit, viktima të dhunës në familje dhe fëmijëve viktima të trafikimit. Gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie, familjet dhe strehimoret kanë vazhduar të ofrojnë shërbime me kapacitet të plotë 24 orë, të mirëpresin rastet e reja në nevojë duke ekspozuar veten drejtpërdrejt ndaj rrezikut të infektimit.

KOMF vlerëson kontributin e tyre në ofrimin e gjithë kujdesit, dashurisë dhe punës së pakursyer për të përmbushur nevojat e fëmijëve.

Urime Dita Ndërkombëtare e Familjes!